Zgjedhjet lajme

Peterle i shqetësuar: Ka më shumë agjentë partiakë se sa që lejohet me ligj

Alojz Peterle, shef i misionit të vëzhguesve të zgjedhjeve nga Komisioni Evropian, ka vizituar shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë për të parë nga afër procesin zgjedhor.

Ai tha se deri tash nuk kanë vërejtur ndonjë problem. Por shqetësimi i tij është shkelja ligjore, ai tha se kanë vërejtur në disa qendra ka më shumë agjentë partiakë se sa që lejohet, transmeton kp.

“Po tentojmë me i vizituar 5 deri në 600 vendvotime me vëzhguesit tonë afatgjatë dhe afatshkurtër. Jemi duke u munduar me i mbuluar gjithë territorin e Kosovës me metodologjinë tonë. Situata që i kanë vëzhguar deri tash është normale e qetë. Si e pashë edhe unë vetë këtu. Nuk kemi vëzhguar ndonjë problem të veçantë deri tash. Duket shumë atmosferë e qetë. I vetmi element që po na shqetëson pakë është që në disa vendvotime ka më shumë agjentë të partive se sa lejon ligji. Do të thotë më shumë se 2 prej një partie. Shpresojmë edhe presim që kjo ka me qenë gjendja e përgjithshme. E dimë që partitë lejohen me i pas ka dy agjentë. E disa i kanë dërguar edhe më shumë. Ndoshta ky është problemi me kuptimin e ligjit. Nuk i kanë shikuar detajet, vëzhguesit kanë me i pasur raportin e saktë në fund të ditës”, tha Peterle.

Ai shpreson që ky rast do të mbetet, rast i izoluar.