Zgjedhjet lajme

Veseli i premton Shalës së Bajgorës një epokë të re

Qindra qytetarë të Shalës i kanë dhënë mbështetje kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe “Fillimit të Ri”, në një tubim të organizuar në Bajgorë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Gjithashtu të pranishëm në tubim ishin edhe minatorët e “Trepçës”, të cilët e falënderuan Veselin për Ligjin për “Trepçën”.

Kreu i PDK-së tha se me “Fillimin e Ri”, do të fillojë një epokë e re edhe për rajonin e Shalës. “Nuk janë vetëm resurset nëntokësorë që e bëjnë të pasur Shalën. Pasuria më e madhe janë njerëzit punëtorë e të ndershëm, të cilët janë pjesë dhe bartës të “Fillimit të Ri”, për një Kosovë të re dhe të zhvilluar”.

Duke folur për minatorët, ai çmoi kontributin e tyre në të gjitha kohërat e vështira për vendin. “Ju i jepni kuptim të vërtetë “Fillimit të Ri”, meqë është gjaku dhe djersa juaj që ka hapur shtigje përpara për këtë vend. Ju jeni lavdia e së kaluarës dhe do të jeni edhe lavdia e të ardhmes”, tha ai.

Gjatë aktiviteteve në Mitrovicë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, kryetari Veseli, ka shtruar darkë të enjten për mësimdhënësit, mjekët, sportistët dhe artistë.