Zgjedhjet lajme

Abrashi: Punësimi i të rinjve, e arritur e prekshme për vetëm gjysmë mandati

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, arriti që Buxhetin e vendit ta çojë në 2 miliardë euro, që është buxheti më i madh i realizuar ndonjëherë nga ndonjë qeveri e pasluftës në Kosovë. Kjo u arrit duke e luftuar informalitetin, duke hapur vende të reja pune, duke e bërë qytetarin e Kosovës pjesëmarrës direkt në mbledhjen e tatimit përmes formës së mbledhjes së kuponëve fiskalë... rrjedhimisht, duke bashkërenduar punët e dikastereve relevante qeveritare, por edhe me organizatat ndërkombëtare si FMN e BB, pjesë përbërëse e të cilit bashkërendim ka qenë edhe ministria që e kam drejtuar unë, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Krahas reformimit të skemës pensionale, ministria ime ka punuar në mënyrë aktive edhe në rritjen e punësimit, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe personat me nevoja të veçanta. Me një fjalë, për kategoritë më të ndjeshme shoqërore dhe kategoritë më në nevojë.

Më poshtë mund të mësoni më hollësisht për të arriturat që prekin punësimin e kategorive të sipërpërmendura, dhe jo vetëm:

Puna më e madhe është bërë përmes atyre që njihen si masat aktive të tregut të punës, me anë të të cilave subvencionuam mijëra vende të reja të punës ku shumica e tyre janë vende pune afatgjate. Subvencionimi targetoi të rinjtë, gratë dhe personat me nevoja të veçanta, duke subvencionuar 50% të pagave të tyre deri në një vit. Përmes kësaj politike arritëm dy qëllime: stimuluam punësimin e këtyre kategorive dhe ndihmuam kompanitë, vendore e të huaja që operojnë në Kosovë, të rriten. #KRENAR

Përmes granteve për bizneset e reja, granteve për vetëfinancim, u hapën disa qindra (në mos mijëra) biznese të reja, ku u punësuan mijëra të rinj dhe të reja. Riorganizuam sistemin e zyrave të punësimit në komunat e Kosovës dhe Qendrat e Aftësimit Profesional, prej të cilave përfituan mbi 11 mijë punëkërkues, qoftë duke u aftësuar profesionalisht për treg të punës, qoftë duke u punësuar në projekte të punëve publike. Krejt këto rezultuan me një ulje të dukshme të papunësisë deri në 8%. #KRENAR

Gjatë mandatit të ardhshëm, në bashkëpunim me partnerët tanë, do të subvencionojmë mbi 10,000 vende të reja të punës, do të financojmë mijëra biznese të reja përmes granteve që do të punësojnë të rinj dhe të reja. Si vazhdim dhe dëshmi e kësaj pune, ne sot nënshkruam marrëveshje me organizatën gjermane “Help”, ku do të bashkëfinancojmë 240 biznese të reja dhe do të trajnojmë mijëra të rinj. #KRENAR

Krejt këto rezultate të dukshme dhe të matshme u arritën për vetëm dy vite pune, pra për një gjysmë mandati. Dikujt mund t’i duken pak, por ne arritëm që t’i shtrojmë bazat për arritje edhe më të mëdha. Për këtë qëllim themeluam Agjensionin e Punësimit të Kosovës i cili objektiv ekskluziv do ta ketë punësimin e të rinjve e të rejave dhe të të gjitha kategorive shoqërore në nevojë. Këtë do ta dëshmojmë gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar. #KRENAR

ARBAN ABRASHI garon në zgjedhjet e 11 qershorit në kuadër të koalicionit LDK-AKR-Alternativa me numrin 77.