Zgjedhjet lajme

Vjosa Osmani s’e di pse është vënë në vendin 81

Descriptive Text

Vjosa Osmani ishte femra më e votuar në zgjedhjet e kaluara. Por kësaj radhe ajo është renditur në vendin 81 në listën e LDK dhe aleatëve të saj. Në intervistë me DW ajo shpjegon shkaqet.

Deutsche Welle: Zonja Osmani, pas prishjes së koalicionit të cilin ju e keni kundërshtuar nga fillimi, për këto zgjedhje jeni futur në koalicion parazgjedhor me AKR dhe Alternativën. Pse me këto parti?

Vjosa Osmani: Afërsia me këto parti daton kaherë. Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me anëtarët e Alternativës por edhe me ata të AKR-së. Ne kemi pasur negociata edhe më parë, ndaj koalicioni nuk është pasojë e marrëveshjeve në momentet e fundit. Parimet i kemi diskutuar edhe më parë dhe LDK synon që me këto parti të ketë partneritet strategjik – pra jo vetëm për këto zgjedhje.

DW: Shumë njerëz kanë qenë të befasuar me faktin që kryeministri Mustafa hoqi dorë nga rikandidimi për këtë post, ndonëse ka mbetur kryetar i LDK. Për këtë post tani kandidon Avdullah Hoti. Si e shihni ju këtë vendim?

Vjosa Osmani: Mendoj se ky ka qenë një vendim jashtëzaknisht i mirë, që rrallë herë, apo kurrë më parë nuk është parë në skenën tonë politike. Zoti Mustafa ka treguar pjekuri politike dhe i ka ofruar elektoratit një lloj transferimi gjeneratash – atë që ne e quajmë nga gjenerata e pavarësisë tek gjenerata e Republikës. Tani zoti Hoti i ka duart plotësisht të lira të ndërtojë programin e vet dhe të përzgjedhë ekipin e tij, për të vazhduar procesin e ndryshimeve.

DW: Deri në momentin e fundit nuk është ditur fare nëse Ju do të jeni në listë, për shkak se disa herë keni dalur hapur kundër kryeministrit Mustafa. Tani është vendosur që të jeni në vendin e 81 në listë. Jeni të kënaqur me këtë renditje?

Vjosa Osmani: Po, numri im në listën e LDK është 81. Pse ky numër, këtë duhet të përgjigjen njerëzit e komisionit katër anëtarësh për përcaktimin e renditjes në listën e LDK. Unë nuk kam diskutuar me zotin Hoti për këtë renditje. Zgjedhësit e Kosovës janë shumë më inteligjentë sesa që mendojnë disa politikanë dhe nëse duan do ta gjejnë personin e caktuar në listë, pavarësisht numrit që ka. Preokupimi im kryesor në kohën e përpilimit të listave ka qenë që sa më shumë njerëz me të cilët kam bashkpunuar ngushtë, të futen në listë. Përgjigjen përfundimtare për renditjen time në zgjedhje do ta japin qytetarët dhe jo dikush tjetër.

DW: Mendoni se është në rregull që femra me numrin më të madh të votave në zgjedhjet e kaluara të pozicionohet në vendin 81 në listë dhe a ka kjo të bëjë me kundërshtimet tuaja të koalicionit LDK-PDK në mandatin e kaluar?

Vjosa Osmani: Në këtë pyetje duhet të përgjigjen personat që e kanë përcaktuar listën. Unë nuk i di shkaqet e këtij vendimi, pse mua dhe disa persona të tjerë i kanë pozicionuar në fund të listës. Por qytetarët e Kosovës janë ata që do ta thonë mendimin e tyre për këtë vendim. Sovrani do ta vlerësojë punën e secilit prej nesh. Pas 12 qershorit do të dihet se ku do të jetë Vjosa Osmani dhe ku të tjerët. Ne natyrisht që kemi pasur mospajtime brenda partisë për koalicionin qeverisës me PDK. Ne kemi kundërshtuar koalicionin me PDK dhe jo qeverisjen apo ministrat e LDK. Ne kemi kundërshtuar koalicionin me PDK, zgjedhjen e Hashim Thaçit President dhe zgjedhjen e Kadri Veselit në postin e kryetarit të Parlamentit. Pra kemi kundërshtuar vetëm vendimet për bashkim me PDK.

DW: A do të thotë kjo se edhe pas këtyre zgjedhjeve do të kundërshtoni bashkëpunimin me PDK dhe disa subjekte të tjera politike?

Vjosa Osmani: Unë mendoj që Kosova mund të shkojë përpara vetëm në momentin kur PDK është në opozitë. E gjithë energjia jonë tani është fokusuar që koalicioni jonë të jetë i pari dhe të ketë të drejtën e krijimit të qeverisë. E kuptoj që është vështirë të fitohen numrat vet dhe duhet të bëjmë koalicione. Ndaj përkundër dallimeve me Vetëvendosjen, mendoj se duhet të lëmë dyert hapur të bisedojmë me Vetëvendosjen, për mundësinë e krijimit të qeverisë së ardhshme.

DW: Sa jeni të kënaqur me pozitën e gruas në listat zgjedhore por edhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi?

Vjosa Osmani: Nuk jam aspak e kënaqur me rolin e gruas në politikë e as me trajtimin e gruas në Kosovë, në cilëndo sferë. Ne mund të flasim për përqindje, por ende ballafaqohemi me probleme elementare, kur për shembull gratë vriten në sy të fëmijëve të tyre për shkaqe banale, ndërsa dënimet për vrasësit janë minimale dhe ofenduese. Nuk kemi pra një mbrojtje të duhur ligjore të femrës. Sa i përket pozitës së gruas në institucione, gratë e LDK dhe disa partive të tjera kanë thyer disa stereotype. Femrat e LDK kanë qenë në zgjedhjet e kaluara ndër pesë kandidatet më të votuara nga të gjitha subjektet. Por para nesh gjendet një rrugë e gjatë deri në konsolidimin e plotë të pozitës së gruas në Kosovë – në politikë dhe në cilëndo fushë tjetër. Ne nuk duhet të dorëzohemi dhe është shumë me rëndësi që vajzat e mija dhe femrat e reja të mos përballen me sfidat që keni ne dhe femrat më të moshuara. Gratë në politikë nuk duhet të shikohet vetëm nga kuotat, por nga fuqia e tyre. Ne kemi përjetuar dhe kemi parë madje edhe skenarë seksistë në politikë dhe kemi vepruar për parandalimin e këtyre dukurive.

DW: Sa prezente është dukuria e seksizmit në insitutcionet e Kosovës? Kam përshtypjen që kjo është e përhapur, nëse shikohet sjellja e deputetëve apo dhe e disa mediave në Kosovë, apo e kam gabim?

Vjosa Osmani: Fatkeqësisht keni të drejtë, sepse për gratë politikane shkruhet për mënyrën se si vishen, si i kanë thonjët apo flokët dhe shumë pak flitet për punën e tyre. Ndërkohë që numri më i madh i çështjeve që preokupojnë qytetarët janë ngritur pikërisht nga gratë deputete të të gjitha partive. Por në gazeta apo në portale mund të shihni vetëm një gjuhë denigruese të burrave ku flitet thuhet se kush është „majmun", „kali", „lopë"… pra një gjuhë që nuk shkon aspak në favor të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

DW: Një prej çështjeve me të cilat jeni marrë ju personalisht shumë në mandatin e kaluar, ka qanë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Si do të krijohet ky koalicion?

Vjosa Osmani: Themeli i Asociacionit parashikohet me marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar nga zoti Thaçi, dhe ajo është miratuar me 2/3 e votave në Parlament. Mënyra e vetme për anulimin e kësaj marrëveshjeje është votimi me 2/3 në Parlament dhe jo anulimi apo tërheqja e saj nga ndonjë politikan. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar këtë dokument dhe mbi bazën e saj mund të bëhen ndryshime në përpilimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por kjo është çështje e zgjidhur, që nga moment kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim. Vendimet duhet të merren mbi bazën e Kushtetutës sonë. Por me sa di unë, problem kryesor në këtë mes janë qëndrimet e deputetëve serbë, të cilët kërkojnë që të mos merren parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne do të insistojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të respektohet në tërësi dhe nuk do të lejojmë që të realizohen kërkesat e Serbisë.

DW: Sa reale janë premtimet për liberalizimin e shpejtë të vizave, brenda disa muajsh, siç thonë disa politikanë? Mendoni se Kosova mund t'i plotësojë shpejt dy kushtet kryesore: demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe dënimi i personave të nivelit të lartë politik të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar?

Vjosa Osmani: LDK nuk mund të japë afat kohor se kur do të bëhet liberalizimi. Ne nuk mund të garantojmë për proceset që nuk janë në duart tona, por varen tërësisht nga mënyra se si funksionon BE. Nga ne varen vetëm dy kriteret që i përmendët ju. Ju keni të drejtë, sepse nga ne nuk kërkohet vetëm të iniciohen procese kundër dikujt, por që ata të dënohen në mënyrë të plotfuqishme. Kjo varet nga gjyqësori, ku nuk duam të ndërhyjmë. LDK garanton mosndërhyrje, sepse politika nuk duhet të përzihet në punët e gjyqësorit. Ndërsa të tjerat kërkojnë të çkapin gjyqësorin nga një parti dhe ta kapin vet. Sa i përket demarkacionit: zoti Hoti ka garantuar se do të përpiqet t'i bashkojë të gjitha subjektet dhe të kërkojë konsenzus, ku duhet të vendoset nëse do të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar apo do të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër. Kjo çështje mund të zgjidhet brenda disa muajsh.

DW: Nëse fitoni të drejtën e krijimit të koalicionit, pra fitoni numrin më të madh të votave, me kë do të futet LDK në negociata për pushtet?

Vjosa Osmani: Mendoj se LDK duhet të lë dyert hapur për bisedime me Vetëvendosjen për koalicion. Kjo garanton një koalicion stabil dhe i mundëson brezit të Republikës, siç e quajmë ne, që të marrë përgjegjësi dhe të çojë vendin përpara.

DW: Kosova ka pasur një Presidente (Atifete Jahjaga), por kur do të ketë një kryeministre?

Vjosa Osmani: Atëherë kur partitë politike të dëgjojnë më shumë zërin e qytetarëve. Gratë jo vetëm në LDK por edhe në partitë tjera po dëshmojnë gjithnjë e më shumë që janë shumë më të pakorruptuara, të zonjat dhe të afta për të çuar proceset përpara. Mirëpo edhe ne duhet të punojmë së bahku dhe të mos heshtim. Unë garantoj për vete që nuk ka fuqi dhe nuk ka burrë që do të më ndalojë të punojë për të mirën e vendit tim.