Zgjedhjet lajme

Limaj në Ferizaj premton investime në kulturë dhe sport

Descriptive Text

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka shpalosur të mërkurën programin qeverisës në Ferizaj, me ç’rast u zotua se nëse Nisma merr nën drejtim Ministrinë e Kulturës, atëherë pa asnjë dyshim që njerëzit që vijnë nga bota e artit do të emërohen aty, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Limaj është shprehur i nderuar që në radhët e Nisma ka njerëz të kulturës, të cilët do të japin ndihmën e vet të pakursyer në këtë fushë.

“Ne i respektojmë çdo zhanër, artistët tanë ne i respektojmë njerëzit. Por ajo çka duhet shteti në këtë rast. Shteti ka nevojë me i dhënë ushqim kulturor popullit të vet. Ne kemi nevoja me u kthyer në investime dhe me vlerësimin e një muzike e cila e fuqizon kulturën tonë, e cila e pasuron kulturën tonë. Shembull më i mirë që kur je besnik i profesionalizimit, traditës i asaj që është kulturë e jotja dhe vjen duke e ngritur, duke ju përshtatur kohës i qëndron kohës”, ka thënë Limaj.

Ai tha se këto ditë nuk ka dëgjuar që të shpaloset program për kulturë apo sport.

“Këto ditë bash nuk keni dëgjuar duke fol për kulturë dhe për sport. Ka pasur shpalosje të programeve të ndryshme, por për kulturë dhe sport nuk kam dëgjuar që është folur shumë”, tha Limaj.

Ai tha se nëse Nisma merr nën drejtim Ministrinë e Kulturës, atëherë pa asnjë dyshim që njerëzit që vijnë nga bota e artit do të emërohen aty.

Besnik Berisha, kryetar i Degës së Nisma në Ferizaj, ka premtuar mbështetje për kandidatët e Nismës.

“Unë si kryetar i degës dhe ekipi jonë, mbështetësit e Nismës, fuqimisht do t’i mbështesim kandidatët për deputet. Edhe pse Ferizaj nuk ka kandidat kësaj radhe, mirëpo ne fuqimisht i besojmë kandidat, sepse këta do të jenë zëri i fuqishëm për Ferizajn, por edhe më Kosovë. Kështu që do ta keni mbështetjen tonë delegatë të nderuar”, tha Berisha.