Zgjedhjet lajme

Dy kushtet për liberalizim vizash mbeten për qeverinë e ardhshme

Pavarësisht se kush fiton në zgjedhjet e qershorit në Kosovë, duhet të realizojë dy kushtet e domosdoshme për liberalizimin e vizave, raporton KTV.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka thënë se PDK-ja e LDK-ja duhet t’u tregojnë koalicioneve të veta se e kanë pranuar marrëveshjen për demarkacionin.

Asnjëra nga partitë në vend nuk i kanë komentuar deklaratat e eurodeputetes.

Mirëpo, sipas gazetarit Adriatik Kelmendi, partitë në koalicion duhet t’ua bëjnë të qartë votuesve të tyre se çfarë do të bëjnë për ratifikimin e demarkacionit.

Kurse Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, ka thënë se qeveria e kaluar ka pasur më shumë mundësi për ta kaluar demarkacionin, pasi që sipas tij, qeveria e re nuk do ta ketë përkrahjen aq të madhe nga bashkësia ndërkombëtare.

PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat tani janë në lista me parti të tjera, e kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2015.

Tash, këto dy parti janë në lista me parti të tjera, liderët e të cilave e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje.