Zgjedhjet lajme

Veseli në Podujevë: Llapi do të ndryshojë

Fillimi i Ri është orientim i gjithë fuqisë politike, strategjike, financiare, intelektuale e morale drejt zhvillimit ekonomik, drejt një fuqizimi të një ndërmarrësie që është e qëndrueshme është konkurrente.

Kështu u ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli simpatizantëve dhe qytetarëve të Podujevës, në fushatën zgjedhore që u mbajt sot në Palestrën e Sporteve "Hakif Zejnullahu".

Veseli para në një numri të madh të qytetarëve në këtë qytet, tha se ky entuziazëm është kur qytetarët kanë shpresë të madhe për ndryshim, transmeton kp.

Kreu i PDK-së tha se më shumë se kurrë sot Kosova ka nevojë për zhvillimin ekonomik dhe se ky është synimi i tyre.

“Më shumë se gjithmonë Kosova jonë ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe ky është orientimi ynë. ‘Fillimi i Ri’ është orientim i gjithë fuqisë sonë politike strategjike financiare intelektuale morale drejt zhvillimit ekonomik, drejt një fuqizimi të një ndërmarrësie që është e qëndrueshme është konkurente, ky është ‘Fillimi i Ri’. Një ndërmarrësi që prodhon të mira materiale për vendin tonë, e cila ndalë importet, në të njëjtën kohë integron të rinjtë dhe të rejat në tregun e punës. ‘Fillimi i Ri’ do të jetë një fuqizim i bujqësisë, i fermerëve tanë, i prodhimit të tyre në mënyrë që njerëzit që jetojnë me djersen e ballit të kenë mundës të ndihmojnë familjet e tyre por të ndihmojnë edhe atdheun e tyre duke prodhuar për Kosovën tonë”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së ripërsëriti se do të rrisin pagat, pasi siç tha ai, njerëzit kanë nevojë të jetojnë më mirë dhe më dinjitetshëm.

Ai theksoi se më 11 qershor Kosova do të vendos se kush do ta udhëheq vendin, derisa pati edhe një porosi për qytetarët e Podujevës.

“Por, para se të shkoni të votoni të gjithë duhet të mendojnë për ëndrrën e tyre se si duan të jetojnë, në një Kosovë e cila është e fuqishme, në një Kosovë e cila është sovrane, në një Kosovë e cila është e zhvilluar ekonomikisht. Duhet të mendojnë se kush mund ta mbroj këtë Kosovë, nuk e keni larg nga këtu, nuk i kemi miq të gjithë, Serbia natë e ditë mendon se si të kthehet në Kosovë, kush mund ta ndal këtë fuqi, e cila ka qenë agresore, dëmtuese kundër popullit tonë, cili lidership mund t’i ndalë ata që dëshirojnë t’i cenojnë fëmijët tanë. Mund t’i ndalin vetëm ata që i kanë ndalë e i kanë thyer në gjysmë kur ka qenë nevoja në qershorin e vitit 1999”, u shpreh Veseli.

Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët nga Podujeva që garojnë për deputetë. Kadri Kastrati, Naim Fetahu, Muhamet Latifi nga PDK-ja si dhe Fadil Fazliu nga Lëvizja për Bashkim që është në koalicion me koalicionin PDK-AAK-Nisma.

Para Podujevës, Veseli ka mbajtur një tubim zgjedhor në Suharekë dhe në Obiliq.