Zgjedhjet lajme

Hoti: Rugovën do ta bëjmë vendin më të dëshiruar për turistët

Koalicioni LDK, AKR, LD dhe Alternativa mbajtën tubim me qytetarë e simpatizantë në Pejë.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës tha se në Pejë para katër viteve, me ndihmën e qytetarëve të qytetit kanë mundur koalicionin që e kanë përballë në këto zgjedhje.

"Ne patëm premtuar se do ta zhdukim zhvatjen dhe haraçin dhe e bëmë. Ne patëm premtuar se do të investojmë në arsim, rini dhe shëndetësi dhe e bëmë. E bëmë sepse jemi njerëz të fjalës, të punës dhe të besës. Ashtu siç janë të gjithë njerëzit e LDK-së dhe ashtu siç ishte presidenti Ibrahim Rugova", tha Muhaxheri ndërsa shtoi se komuna e Pejës e pati vazhdimisht përkrahjen e kryeministrit Mustafa.

Në fjalën e tij për Avdullah Hotin, Muhaxheri tha se është krenaria e Pejës dhe se do ta këtë përkrahjen e pafund të qytetarëve të këtij qyteti.

Madje ai tha se fitorja e zgjedhjeve të kaluara në Pejë, me 11 qershor, do të shtrihet në gjithë Kosovën.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit të LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh të jetë i emocionuar nga pjesëmarrja masive e qytetarëve të Pejës në tubimin e së dielës.

Ai tha se në këtë mënyrë dëshmohet se po kthehet ‘fryma rugoviane’.

"Jemi këtu me juve qytetarë të Pejës dhe rugovas, për të lidhë besën se me 11 qershor do të ndërrojmë gjendjen në Kosovë. Jemi përpara juve t'iu sigurojmë me nder, siç iu ka shërbyer LDK dhe kryetari juaj për katër vite me radhë. Jemi këtu për t'iu siguruar këtu se asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk do të humbet për asnjë çmim", u shpreh ai.

Sipas tij, themeluesit e LDK-së janë bërë bashkë me brezin e pavarësisë me plan konkret se si të jetësojnë fitoren më 11 qershor. Hoti, në Pejë, premtoi zhvillim ekonomik, rritje pagash dhe se me qeverisjen e tyre, Rugovën do ta bëjnë vendin më të dëshiruar për turistët.