Zgjedhjet lajme

Kurti: T’i heqim qafe politikanët himni i të cilëve është “rreth korrupsionit të përbashkuar”

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë në Viti se kjo parti nuk e do thjesht fitoren, por ndryshimin në Kosovë, porse ky ndryshim është i mundshëm vetëm me fitoren e Vetëvendosjes.

“Kanë kaluar 18 vjet prej çlirimit, ata që ishin foshnje në kohën e çlirimit nuk janë më as fëmijë por janë të rritur me fëmijët e tyre. Koha po kalon, por varfëria nuk po shkon e punësimi nuk po vjen. E kemi shansin unik që këtë ta ndryshojmë njëherë e përgjithmonë më 11 qershor me Vetëvendosjen”, ka thënë Kurti në tubimin elektoral me qytetarët e Vitisë.

Kurti tha po ashtu se të gjithë jemi bërë dëshmitarë se si në Kosovë është bërë më e lehtë të jetosh si hajn se sa si njeri i ndershëm, përcjell Zyra për media e kësaj partie. Ai premtoi se me qeverisjen me njerëzit e ndershëm jeta do të jetë shumë e lehtë, kurse për të korruptuarit do të bëhet tepër e vështirë.

Tutje, ai tha se nuk ka në këto zgjedhje as krah të luftës as krah të paqes, por një ndarje tjetër është më e saktë, ndarja në krahun materialist të luftës dhe në krahun idealist të luftës.

“Ata të krahut materialist të luftës kanë bërë koalicion, ata të krahut idealist të luftës janë në lëvizje si gjithmonë, në lëvizjen që ju do të vendosni që të jetë fituese me 11 qershor”, tha veç tjerash, Albin Kurti.

Kurti shtoi në këtë tubim se rinia është me Vetëvendosjen, por ai tha se me Vetëvendosjen duhet të bëhen të gjithë, bujq e zejtarë, mjekë e pensionistë, dhe ashtu të përbashkuar t’i heqim qafe këta politikanë himni i të cilëve është “rreth korrupsionit të përbashkuar”.

Para qytetarëve të Vitisë në tubimin e Vetëvendosjes në këtë komunë ka folur edhe ish-deputeti dhe kandidati për deputet, Ismajl Kurteshi. Ai tha se Vetëvendosjes iu deshën 12 vite punë, sakrificë, përballje me të keqen.

“Ata nuk lanë gjë pa shkelur dhe leje më ato vijat e kuqe që i shkruan ditën dhe i fshinë natën. Boll me këta hajna të vjetër që pa fije turpit na premtojnë fillim të ri”, tha Ismajl Kurteshi.

“Ata që na premtuan për 9 palë zgjedhje nga 200 000 vende pune, zhvillim ekonomik, edukim cilësor, asnjëherë më nuk do të na mashtrojnë”, tha po ashtu Kurteshi në këtë tubim.

Nga qyteti i Vitisë, kandidatja për deputete Donika Kadaj, përmendi bashkimin kundër së keqes, rreth Vetëvendosjes, në rezistencë dhe protesta, në peticion dhe kundërshtim.

“Për shkak se ishim bashkë ne fituam”, u tha qytetarëve të Vitisë, Donika Kadaj.

“Ne u themi sot nga këtu që jeni të humbur, sepse ne jemi bashkë me popullin”, shtoi ajo në tubimin e Vitisë.

Kadaj tha se pushtetet e kaluara premtuan 200.000 vende pune, por në 2 vitet e fundit rreth 200.000 qytetarë u detyruan të largohen nga Kosova.

“Do ta bëjmë Kosovën vendin ku do të kthehen të gjithë ata që ikën nga dhuna që shkaktuan këto pushtetar”, premtoi Donika Kadaj nga Vitia.

“Ne kemi programin, kemi ekipin, kemi Albinin kryeministër, kemi vullnetin dhe guximin, ndaj miq ju ftojmë që në 7 ditët e ardhshme t’i thërrisni të gjithë miqtë që me 11 qershor të jemi bashkë me Vetëvendosjen për fitore”, ishte porosia e saj për qytetarët e Vitisë.

Në Viti qytetarëve iu është drejtuar ish-deputeti dhe kandidati për deputet, Salih Salihu. Ai tha se ndjehet krenar që Vitia është rreshtuar me Vetëvendosjen.

“Jemi të rreshtuar me Vetëvendosje që jo vetëm ka guximin për të ndalur të keqen, por edhe dijen dhe vendosmërinë për të sjellë ndryshimin”, tha Salih Salihu, duke shtuar se Vetëvendosje është subjekti i vetëm që ka përfaqësuar qytetarët e Vitisë në Republikën e Kosovës.

Ai tha po ashtu se me qeverinë e VV-së nuk do të ndodhë që Vitia të izolohet, por do të integrohet me pjesët e tjera.

“Vetëvendosje nuk premton, por ajo zotohet dhe zotimet përmbushen”, theksoi Salihu.

Në fjalën tij në tubimin zgjedhor të Vitisë, kandidati tjetër për deputet nga kjo komunë, Xhevat Bislimi, tha se sot si asnjëherë më parë se shqiptarët po i bashkohen Vetëvendosjes për të fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të Kosovës.

“Me Vetëvendosjen do të rivendoset edhe partneriteti i dëmtuar rëndë nga qeveritë aktuale me partnerët tanë amerikanë e vendet e Bashkimit Evropian”, tha Xhevat Bislimi.

Ai shtoi po ashtu se me qeverisjen e Vetëvendosjes do të ketë mundësi të punësimit në Kosovë, qytetarët nuk do të kenë nevojë të mjekohen në spitalet maqedonase dhe pensionistët do të ndihen të mbrojtur.