Zgjedhjet lajme

Kurti në Malishevë: Nuk duhet të kërkojmë atë që është e mundur, por ta bëjmë të mundur atë që e kërkojmë

Nga tubimi elektoral në Malishevë, kandidati për kryeministër të Kosovës nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur mbi gjendjen e rëndë ekonomike dhe varfërinë në Kosovë.

Ai ka thënë se për shoqërinë duhet të kontribuojnë të gjithë dhe pasuria duhet të shpërndahet.

“Në këtë betejën tonë të përbashkët, ne nuk duhet të kërkojmë atë që është e mundur, por ne duhet ta bëjmë të mundur atë që e kërkojmë”, u ka thënë malishevasve, Albin Kurti.

Tutje ai ka shtuar se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, por sundimtarë të ligjit, të cilët nganjëherë sundojnë përmes ligjit, nganjëherë sundojmë përtej ligjit, por assesi ta lënë ligjin të sundojë.

“Na kanë thënë që tregu i lirë ofron shanse të barabarta për individët dhe njerëzit, por shanset e barabarta pa trajnim dhe përgatit nuk janë fare shanse. Vetëm kur në garë nuk dihet fituesit konkurrenca është e lirë. Me Vetëvendosje do të kemi një treg të lirë të cilit nuk i dihet rezultati”, ka thënë po ashtu Kurti në tubimin zgjedhor të Malishevës.

Teksa ka folur për dy koalicionet, Kurti shtoi se nuk është e vërtetë që bëhet fjalë për krah të luftës dhe krah të paqes.

“Ka të krahut materialist të luftës dhe të krahut idealist të luftës. Ata të krahut materialist të luftës kanë bërë koalicion. Ata të krahut idealist janë në Lëvizje si kaherë, madje edhe shumë kohë para se të formohej Vetëvendosje, si baca Gani”, theksoi Kurti në fjalën e tij.

Ai bëri thirrje që me 11 qershor të votohet Vetëvendosje dhe të fillojë bërja e Republikës.