Zgjedhjet lajme

Vrenezi në Malishevë: Le të bëhemi bashkë në betejën e hapjes së mundësive

Në Malishevë është mbajtur tubimi i tretë parazgjedhor gjatë ditës së sotme nga Lëvizja Vetëvendosje.

Tubimi është hapur nga kanditatja për deputete, Jetmira Vrenezi, e cila tha se tani është mundësia për ndryshim.

“Ne, vajza dhe djem, kemi shumë për t’i dhënë Republikës. Le të bëhemi bashkë në betejën e hapjes së mundësive, në betejën për fitore”, tha Vrenezi.

Ajo shtoi se me 11 qershor, Republikën do të ua kthejmë qytetarëve dhe rinisë do t’ia kthejmë mundësinë e munguar deri tani.

Ndërkaq, kandidati tjetër për deputet nga Malisheva, Nexhat Kryeziu, ka thënë në tubimin zgjedhor të kësaj komune se Malisheva në çdo etapë ka ditur t’u prijë ndryshimeve dhe ka dhënë bijtë e bijat më të mira për atdheun.

“Me 11 qershor është referendumi i cili duhet të shënjojë fillimin e fundit të qeverisje pa plan. Krijimi i fondit sovran, agjensioni publik, dhe banka zhvillimore do të rimëkëmbin prodhimin vendor”, tha para qytetarëve të Malishevës, Kryeziu.

Ai shtoi se sot Malisheva sot ka mbi 800 familje skamnore, “ndërkohë kemi politikanë të Malishevës që kanë pasuri mbi 100 milionë euro”, si dhe theksoi se “këto pasuri i bënë në kurriz të pasurive publike”.

“Vetëvendosje është dëshmuar në Parlamentin e Kosovës, edhe në Komunën e Prishtinës. Vetëvendosje do të dëshmohet me 11 qershor në qeverisjen e Kosovës”, përfundoi fjalën e tij Kryeziu.

Në tubimin elektoral të Malishevës ka folur edhe kandidatja tjetër për deputete, Behie Sertolli.

Ajo ka thënë se Kosova përballet me gjendjen më të rëndë, prandaj tha se është i domosdoshëm ndryshimi. Ajo ka përmendur prioritetet që do t’i ketë Vetëvendosje gjatë qeverisjes.

“Programi jonë vendos drejtësi dhe barazi, por krijon edhe mundësi për të ecur përpara me dinjitet. Me ne ndryshimi do të fillojë, por nuk do të ndalet”, tha Sertolli.

Ajo ka folur edhe për rolin e gruas, për të cilin tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes nuk do të shihet si dytësor, por si vendimmarrës dhe i barabartë.