Zgjedhjet lajme

Ahmeti: Ata të dy koalicioneve ose janë matematikanë të dobët ose rrenca të mëdhenj

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në Suharekë. Aty, kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet i Vetëvendosjes ka pasur fjalë të ashpra për dy koalicionet.

Ahmeti ka rikujtuar shumë nga premtimet e dhëna nga ta, për mosmbajtjen e të cilave tha se duhet t'i mbajmë përgjegjës.

“Prandaj në zgjedhjen mes këtyre koalicioneve me kombinime të ndryshme që e kanë qeverisë Kosovën dhe Vetëvendosjes, besoj se zgjedhja është e lehtë. Vetëvendosje është e vetmja forcë politikë që është për zhvillimin, barazinë, luftën kundër krimit dhe Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera, Shpend Ahmeti.

Ai po ashtu foli edhe për qeverisjen e komunës së Prishtinës, duke listuar projektet e shumta të realizuara, ndonëse tha që buxheti i Prishtinës është i njëjtë me komunën e Prizrenit.

E duke u marrë me premtimet e dy koalicioneve, siç ishte rritja e buxhetit në 5 milardë euro brenda mandatit 4 vjeçar, Shpend Ahmeti tha se “këta ose janë matematicienë të dobët ose rrenca të mëdhenj”.

Kryetari Visar Ymeri nga qyteti i Therandës, ka thënë se Albin Kurti është kandidati më i mirë për kryeministër. Ai tha se Kurti e ka dëshmuar në çdo etapë të periudhës së tij njerëzore se ai as nuk gjunjëzohet, as nuk dorëzohet, as nuk lodhet dhe as nuk i rritet mendja.

“Ai i nënshtrohet vetëm një gjëje, popullit të Kosovës dhe të mirës së përgjithshme”, tha Ymeri.

Ai tha po ashtu se një qeverisje e denjë është ajo e cila i jep mundësi njerëzve që të jetojnë me zotësitë dhe talentet që kanë.

“Ne e investojmë dijen tonë, djersën tonë, përvojën tonë, në programe dhe plane. Prandaj Vetëvendosje e ka një fond sovran sepse e do një Kosovë sovrane, për të zhvilluar dhe rritur në funksion të zhvillimit ekonomik pasuritë publike”, tha Ymeri.

Ai premtoi se të gjitha privatizimet e tashme do të hetohen, si dhe tha se me mërgatën do të bashkëpunohet, e jo të trajtoheni sikurse deri tani.

Tubimi në Therandë dhe kandidatit për deputet nga kjo komunë, Leonard Shala. Ai tha se Theranda e ka bërë me dije se nuk dorëzohet përballë klanit “Pronto”. E po ashtu përmendi heroizmin e guximin e njerëzve të kësaj komune.

Kandidati tjetër për deputet nga kjo komunë, Sali Zyba, tha se Lëvizja Vetëvendosje është formuar dhe vepron për interes të vendit, për interes të popullit, për Republikën,për kombin shqiptar.

“Tash e 12 vjet përfaqësojmë vullnetin e qytetarët brenda dhe jashtë institucioneve, kemi përkrahë çdo iniciativë në të mirë të vendit”, theksoi Zyba.

Ai shtoi se Në Therandë, ashtu edhe si edhe në gjithë Kosovën, pushteti ka bërë privatizime të egra. Ai përmendi Privatizimin e “Ballkanit”, dhe lënien e papunë të mijëra punëtorëve.

Kandidatja për deputete Albana Gashi, iu bëri thirrje gjitha grave të angazhohen në Vetëvendosje, pasi që kjo është rruga e vetme për drejtësi e barazi.

“Vetëm angazhimi politik, për të përbashkëtën e ndërton shoqërinë, e zhvillon shtetin dhe na siguron mirëqenie e jetë të mirë”, tha para therandasve, Albana Gashi.

Ajo tha se në listën e Lëvizjes Vetëvendosje janë 33 gra kandidate për deputete dhe tha se secila është më e mirë se tjetra.

“Ato janë pedagoge në universitete, aktiviste të shoqërisë civile, doktoresha, arsimtare, politologe, disa prej tyre kanë qenë luftëtare të UÇK-së dhe aktiviste të lëvizjeve ilegale, Ato vijnë nga krejt komunat e Kosovës, si dhe nga Presheva, Medvegja dhe Shkupi. Ato bashkë me aktivistet e tjera gra e vajza, janë jo vetëm Zemra e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe mendja dhe guximi. Ndihem krenare që jam bashkudhëtare e të gjitha grave dhe burrave të Lëvizjes Vetëvendosj”, tha veç tjerash Albana Gashi.