Zgjedhjet lajme

Kurti: Me Vetëvendosjen nuk do të ketë familje pa kulm mbi kokë

Në fjalën e tij në tubimin e Vetëvendosjen në Vushtrri, kandidati për kryeministër Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes së tij, ka për synim ta largojë frikën prej Kosovës dhe ta kthejë shpresën këtu. Kurti tha se kemi qenë populli më optimistë e tani jemi popull i trembur që do të largohet, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

“Aty ku populli ka frika nga qeveria kemi tirani, aty ku qeveria ka frikë nga popull kemi demokraci. Ne jemi për demokraci“, theksoi Kurti, në fjalën e tij.

“Vushtria është ndër qytetet më të varfra e shumë familje janë të pastreha. Me qeverinë e Vetëvendosjes nuk do të ketë familje pa kulm mbi kokë dhe as familje me asnjë anëtar të papunësuar“, shtoi tutje, Albin Kurti.

Në vazhdim, Kurti tha se jemi dëshmitarë të realitetit tonë që pushteti në Kosovë e trajton popullin si lëndë e parë ose për eksport, e po ashtu pati kritika të ashpra për dy koalicionet.

“Këto dy koalicione nuk janë as të krahut të luftës e as të krahut të paqes. Nuk janë krah i luftës ata tregtarë flamujsh në luks e me truproja. Krahu i vërtetë i luftës janë të tjerë, jeni ju, jemi ne, Aida Dërguti është UÇK, Gani Krasniqi, Rexhep Selimi...”, tha veç tjerash, Albin Kurti.

Në fund, teksa foli për ushtrinë, ai tha se uk e bëjnë ushtrinë ata që e kanë mendjen te tenderat, dhe se po të bëhej ushtria me tendera, këta e kishin bërë ushtrinë tashmë. Kurse, kur foli për zhvillimin e bujqësisë, Kurti iu premtoi bujqve të kësaj komune mbështetje dhe tha se ata nuk do t’i gjuajnë kurrë më produktet bujqësore.