Cili është limiti i shpenzimeve gjatë fushatës për subjektet politike

31 maj 2017 19:05

Zyrtarisht, sot ka nisur fushata elektorale në vend, raporton KTV.

Por, ka javë të tëra që kur strukturat e të gjitha subjekteve politike kanë shëtitur çdo vend, nga lindja në perëndim e në jug, por jo edhe në veri, në kërkim të votës potenciale për ta. E që nga 10 maji, kur u shpërbë Kuvendi, nisën edhe faqet e sponsorizuara në rrjetet sociale, spote e takime me qytetarët, por paratë që u paguan për to nuk do të hyjnë në kuadër të asaj që u zhvillua si parafushatë.

Më pak se 1 milion euro është shuma që KQZ-ja caktoi si limit për shpenzimet e subjekteve politike dhe numërimi për shpenzimin e këtyre të hollave nis vetëm nga sot.

Edhe koalicionet që u regjistruan si një subjekt i vetëm politik nuk do të mund të kalojnë këtë shifër, pavarësisht numrit të partive që përbëjnë koalicionin, pasi ato janë certifikuar për zgjedhje si një subjekt i vetëm.

Subjektet që e tejkalojnë këtë shifër do të gjobiten, ashtu të paktën parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme, ku thotë se KQZ-ja miraton rregullore zgjedhore, ku parashihen sanksionet dhe gjobat për shkeljen e rregullave.

Por edhe KQZ-ja edhe Shoqëria Civile kanë ngrehur shqetësimin se ky limit mund të mos respektohet, kjo pasi ende askush nuk e di se sa para shpenzuan në fushatën e 2014-ës subjektet politike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme