Zgjedhjet 2021

Hoti: E kemi hequr nga diskursi publik fjalën korrupsion dhe shkëmbim territoresh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria që ka udhëhequr ai ka larguar nga diskursi publik fjalën korrupsion dhe shkëmbim territoresh.

Ai në një takim me strukturat e degës së LDK-së në Vushtrri ka thënë se vizioni i qartë që qytetarët kanë pasur në vitet e para të LDK-së, vazhdon edhe sot të mbetet orientimi i tyre në politikë.

“LDK-ja ka pasur rol qendror, në të gjitha proceset kryesore që kanë ndodhur ndër vite. Gjatë vizitave nëpër të gjitha degët e LDK-së, kam marrë mesazhin e qartë, strukturat dhe aktivistët janë të gatshëm për të vazhduar punën e palodhshme me dhe për shtëpinë e tyre politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai tutje ka deklaruar se e kanë menaxhuar mirë pandeminë duke përmendur si arritje edhe votimin e Pakos së Rimëkëmbjes ekonomike.

“Hoti, nënvizoi se, pandemia ka qenë një sfidë shumë e madhe, por me punë konkrete kemi riorganizuar komplet sistemim shëndetësor, kemi rritur numrin e mjekëve, infermierëve dhe specializantëve, kemi rritur numrin e testimeve, prandaj kemi arritur të menaxhojmë mirë pandeminë. Pandemia ka sjellë edhe probleme ekonomike, megjithatë nga dita e parë jemi mobilizuar për t’u dal në ndihmë si bizneseve ashtu edhe qytetarëve përmes pakos ekonomike dhe ligjit për rimëkëmbje. Pakoja jonë ekonomike, është ndër pakot më të mëdha në rajon”, tha ai.