Zgjedhjet 2019

PZAP-ja publikon të dhënat, mbi një milion euro gjoba ndaj partive politike dhe mijëra ankesa

Rreth 1 milion e 500 mijë euro janë shqiptuar gjoba ndaj partive politike gjatë proceseve zgjedhore 2009-2017, teksa prej vitit 2000 deri në 2017 janë parashtruar 29 mijë e 730 ankesa dhe apele në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Këto të dhëna u bënë publike sot në promovimin e dokumentit të historikut të këtij institucioni që përfshinë të dhëna prej organizimit të parë të zgjedhjeve në vitin 2000, e deri te zgjedhjet e vitit 2017. Nga këtu u tha se këto të dhëna do t’i shërbejnë forcimit dhe përmbushjes së kredibilitetit të procesit zgjedhor.

Kryetarja e Panelit të PZAP-së, Gyltene Sylejmani theksoi nevojën e këtij institucioni në procese zgjedhore dhe u zotua në përmirësimin, rritjen e efikasitetit dhe transparencës në rastet e ankimimit.

Derisa i paraqiti edhe disa nga sfidat e tyre që kanë të bëjnë me periudhën e shkurt të ankesave, parashtrimin e keq të tyre, si dhe keqpërdorimin e identitetit të votuesve nga jashtë.

“Sfidë në veti është edhe ankesat që pretendojnë që elemente të veprës penale ku kërkohet informata nga Polica e Kosovës, kjo merr kohë. Po ashtu hetimi i rastit dhe keqpërdorimi i të votueseve nga jashtë Kosovës, votimi me postë. Keqpërdorimi i identitetit të votuesve, verifikimi i nënshkrimeve të votuesve nga votues jashtë Kosovës. PZAP me kapacitet që ka heton rastet me pretendimet ankimore, por mungesa e informatave në gjetjen e dëshmive është sfidë në veti”, tha ajo.

Ndërsa, shefi i OSBE-së në Kosovë, që ka kontribuar në publikimin e këtij raporti, Jan Braathu duke vlerësuar procesin e fundit zgjedhor në Kosovë si më të mirin në rajon, tha se ky publikim është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë civile në përmirësimin e procesit zgjedhor dhe vet këtij institucioni.

“Ky publikim që po publikohet është një dokumentim i rëndësishëm i suksesit të arritur nga ana e PZAP-së. Është një përpilim i statistikave të dhënave. Është shumë me rëndësi jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë civile dhe akademikët të cilët dëshirojnë të analizojnë rritjen dhe zhvillimin e këtij institucionin”, tha Braathu.

Brathuu po ashtu e vlerësoi shumë institucionin e PZAP-së, duke e konsideruar si transparent dhe kredibil.

PZAP është organ i pavarur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili merret me rastet e ankesave dhe apeleve të partive politike gjatë proceseve zgjedhore.