Zgjedhjet 2019

Rrustemi i VV-së thotë se nga nesër janë të gatshëm për rezultatet finale të zgjedhjeve

Foto: Driton Paçarada / Koha

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se sot iu kthye e drejta e mërgimtareve me vendimin e Supremes për numërimin e votave të tyre.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se sot do të numërohen votat e mbetura të diasporës, ndërsa nesër ka mundësi të shpallen rezultatet përfundimtare.

“Bashkatdhetarët e kishin kryer pjesën e tyre që kur e kanë nisur fletëvotimin. Sot, e drejta e tyre u rikthye. Votat nga mërgata do të numërohen sonte. Nesër, jemi gati edhe për shpalljen e rezultateve përfundimtare”, shkroi Rrustemi në Facebook.

Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim sot që të numërohen edhe 1806 pakot me votat e diasporës.