Zgjedhjet 2019

Daka: Shpallja e rezultateve përfundimtare bëhet pas numërimit të votave nga diaspora, nëse nuk ka ankesa

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora. E pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, nëse nuk do të ketë ankesa, pas 24 orëve do të bëhet certifikimi i zgjedhjeve.

Daka në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se një deklaratë e saj se certifikimi i zgjedhjeve mund të shkojë deri në dhjetor është nxjerr nga konteksti.

“Fatkeqësisht është nxjerrë nga konteksti një fjali e imja, sepse unë kam folur në rastin kur shpallen rezultatet përfundimtare dhe kur ka mundësi që të kemi ankesa, pra ankesa nga kandidatët e pakënaqur, ankesa nga subjektet e pakënaqura eventualisht dhe që kjo me siguri që do ta zgjaste apo eventualisht të ndonjë vendim nga PZAP për rinumërim të kutive, e cila çështje do të na dërgonte në një shtyrje të afatit për certifikim, me siguri që atëherë certifikimi do të ndodhte shumë më vonë. Por, kjo natyrisht është nxjerrë nga konteksti i asaj që kam thënë unë, sepse certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve përfundimtare varet nga ajo se a do të kemi ankesa në PZAP apo jo”, u shpreh ajo.

E pyetur se a mund të shpallen rezultatet përfundimtare pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës të cilat kanë ardhur me vonesë, ajo ka pohuar një gjë të tillë, derisa ka shtuar se nëse nuk do të ketë ankesa 24 orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare do të certifikohen zgjedhjet.

Ajo tha se bazuar në praktikën e mëhershme gjithmonë ka pasur ankesa pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, e që e kanë shtyrë certifikimin e zgjedhjeve.

“Po natyrisht nëse nuk ka ankesa, ne 24 orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare do t’i certifikojmë zgjedhjet. Unë shumë kisha dëshiruar që të mos kemi, por nga përvoja e viteve të kaluara, unë e di që ka ankesa gjithmonë në PZAP dhe pastaj ka të drejtë ankese edhe në vendim të PZAP-së në Gjykatën Supreme, që automatikisht e shtyn certifikimin e rezultateve dhe unë jam nisur nga kjo. Përndryshe nëse nuk kemi ankesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare do t’i certifikojmë rezultatet menjëherë 24 orë pas përfundimit të afatit për ankesa”, tha ajo.

E para e KQZ-së, Valdete Dala deklaroi se do të zbatojnë çdo vendim të PZAP-it, nëse do të ketë vendim për rinumërim të të gjitha votave. Ajo shtoi se ky vendim do të shtynte certifikimin e zgjedhjeve.

“Kjo nuk do ta dëmtonte procesin, natyrisht që ne do t’i zbatojmë vendimet e PZAP-it nëse kemi vendime të tilla, mirëpo që do ta shtyjë certifikimin e rezultateve po. Atëherë varësisht nga ajo se a do të obligohemi të rinumërojmë të gjitha kutitë apo disa kuti apo çka do qoftë ne atëherë do të jemi të obliguar që ta presim afatin derisa të numërohen dhe derisa të përfundojnë të gjitha afatet e ankesave”, deklaroi ajo.

Se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora e thotë edhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili thotë se pret që shumë shpejt të ndodhë edhe certifikimi i rezultateve përfundimtare.

“Në fund të javës mund të kemi pa ndonjë vështirësi shpalljen e rezultateve përfundimtare sa i përket KQZ-së, ndërkohë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare fillon të rrjedhë afati prej 24 orësh për ankesa që mund të paraqesin kandidatët dhe subjektet politike, gjithmonë duke ofruar argumente dhe fakte. Personalisht nuk pres që do të ketë ndonjë rinumërim në masë të madhe sa i përket ankesave të subjekteve politike, sepse procedurat e KQZ-së në QNR kanë trajtuar çdo mospërputhje të mundshme sa i përket rezultatit të subjekteve politike. Eventualisht mund të kemi ndonjë ankesë të kandidatëve të ndryshëm të subjekteve politike, por për të gjitha këto duhet të ofrohen argumente dhe bazë në PZAP, por kurrsesi nuk pres që të ketë shumë ankesa, e aq më pak pres të ketë bazë për ankesa të subjekteve politike. Kësisoj pres shumë shpejt të kemi edhe certifikimin e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së”, tha ai.

Rrustemi deklaroi se partitë politike nuk kanë bazë në ankesat e tyre për rinumërim të të gjitha kutive të votimit.

“Ankesat e subjekteve politike mund të kenë motive të ndryshme, por ajo që mund të them është se nuk kanë bazë në ankesat e tyre të paktën në ato që janë ngritur në publik. Pres që KQZ pa humbur kohë pas numërimit të votave të mërgatës t’i shpallë rezultatet dhe më pas, pas konsumimit të afatit për ankesa t’i certifikojë. Unë nuk pres vonesa në këtë drejtim dhe as që duhet të ketë. Nuk ka asnjë arsye për t’u vonuar certifikimi i rezultateve përfundimtare”, deklaroi ai.

Kujtojmë se me aktgjykim të Gjykatës Supreme do të numërohen 4 mijë e 639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës, ku numërimi i tyre do të bëhet pas shqyrtimit dhe vlerësimit të zarfeve.