Zgjedhjet 2019

VV-ja pret që KQZ-ja të nisë sa më parë rinumërimin e votave të ardhura me vonesë nga diaspora

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që konfirmoi ankesën e kësaj partie për rinumërimin e pakove me vota të ardhura nga jashtë Kosovës.

Ndonëse këto vota kishin filluar të numëroheshin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, PZAP-ja kishte vendosur që të ndërpritet procesi pasi ishte kuptuar se kishin arritur me vonesë në Kosovë, gjegjësisht pas përfundimit të procesit zgjedhor të 6 tetorit. Vetëvendosje ishte ankuar në këtë vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në ankesën e dytë të VV-së, Supremja vendosi që “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrohet të bëjë rinumërimin e 4639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës”.

“Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmoi ankesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sot në ora 16:19 morëm vendimin nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ku u konfirmua e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe më në fund u hap rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre”, thuhet në njoftim të Vetëvendosjes.

Kjo parti ka thënë se pret që sa më parë KQZ-ja të mblidhet për të marrë vendim për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe rinumërimit të këtyre fletëvotimeve.

“E gjitha kjo mund të ishte evituar nëse prej 12 tetorit KQZ do të kishte lejuar administratën e KQZ-së që t’i numëronte këto fletëvotime”, thuhet në fund të reagimit.