Zgjedhjet 2019

Limaj: Nisma ka 5.5 për qind, mos të numërohen votat e ardhura nga Serbia

Foto: Ilustrim

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se sipas numërimit të votave të rregullta, koalicioni që ai udhëheq, Nisma-AKR-PD, ka 5.5 për qind të votave.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se pas rinumërimit të disa vendvotimeve me vota të rregullta, “koalicioni do të jetë pjesë e Kuvendit”.

“Dua t’ju njoftoj se nga numërimi i deritashëm i votave të rregullta që po bëhet në QNR, Nisma-AKR-PD, ka 5.5 për qind të votave që do të thotë se koalicioni jonë do të jetë pjesë e Kuvendit me numërimin e votave të rregullta”, ka thënë ai.

Limaj është shprehur kundër procedimit të votave të ardhura nga Serbia.

“Veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të procedohen e numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Votat e ardhura nga Serbia janë vota të parregullta, dhe si të tilla ato vota nuk duhet të procedohen. Janë në kundërshtim me ligjin veprimet e sotme. Apeli im është të mos procedohen votat e parregullta, të mos shkelet ligji sepse deformon procesin zgjedhor, deformon vullnetin e më shumë se 40 mijë njerëzve. Kërkoj nga KQZ urgjentisht të ndalojë këto veprime ligjore e që përmes votave të parregullta të deformohet procesi zgjedhor”, ka thënë ai.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, pas numërimit të votave të rregullta, Nisma-AKR-PD kishte 4.96 për qind të votave. Me numërimin e votave të diasporës ky koalicion arriti në 4.99 duke iu afruar shumë pragut zgjedhor prej 5 për qind. KQZ më pas ka vendosur për rinumërimin e më shumë se 830 vendvotimeve. Sipas Nismës, gjatë rinumërimit është dëshmuar se ka pasur keqpërdorim të votave në numërimin e rregullt. Tani ajo thotë se pas rinumërimit të deritashëm ka arritur në 5.5 për qind.