Zgjedhjet 2019

​Për 3-4 ditë pritet përfundimi i rinumërimit të 530 vendvotimeve

Foto: Driton Paçarada / KD

Janë rinumëruar më shumë se 60 për qind të 530 vendvotimeve të caktuara për rinumërim. Nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve kanë thënë se presin që procesi i plotë të përfundojë për tre apo katër ditë.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se procesi i rinumërimit deri tani ka ecur mirë dhe pas përfundimit të rinumërimit të tyre, do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Procesi i rinumërimit është duke ecur normalisht. Në këto momente kemi arritur në 330 vendvotime të cilat janë rinumëruar apo me përqindje është 62 për qind. Kanë mbetur edhe më pak se 40 për qind për t'i rinumëruar në mënyrë që ky proces të mund të kompletohet i cili pritet që gjatë këtyre ditëve edhe të kompletohet. Besojmë që brenda tri-katër ditëve ky proces do të mund të kompletohet dhe më pastaj t'i hapet rrugë numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë ai për KP.

Kujtojmë që me rekomandim të Qendrës për Numërim dhe Rezultate janë rinumëruar më herët edhe 314 vendvotime.