Zgjedhjet 2019

Ngrihen dyshime se MUP-i i Serbisë solli fletvotime në Kosovë

Në kohën kur ende nuk ka nisur numërimi i votave me postë, janë ngritur akuza ndaj KQZ-së.

Rreth 19 pako me mijëra fletëvotime po pretendohet se kanë arritur në Kosovë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, në Facebook, ka akuzuar institucionet e Kosovës se kanë lejuar një gjë të tillë, raporton KTV.

Ai, tutje, ka shkruar se Ministria e Brendshme e Serbisë, së bashku me Doganën dhe Policinë e Kosovës, kanë sjellë këto zarfe pa kaluar fare rrugët postare, ashtu edhe siç kanë kaluar votat e diasporës shqiptare.

E, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.

Tutje, Elezi ka treguar se votat me postë, me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, do të fillojnë të numërohen javën e ardhshme.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me disa prej anëtarëve të KQZ-së, por ata kanë thënë se nuk mund të deklarohen para se të marrin raport përfundimtar për çështjen e votave me postë.

E, mbledhja e KQZ-së, e cila ishte paraparë të mbahej të premten, është shtyrë me arsyetimin se mungon materiali që do të duhej të diskutohej në mbledhje.