Zgjedhjet 2019

Krasniqi: Me Limajn, dinjitetshëm do i përmbyllim bisedimet me Serbinë

Descriptive Text

Nisma Socialdemokrate në tubimin me qytetarët dhe strukturat saja në Fushë Kosovë, shprehu bindjen se kjo parti do jetë gjithsesi pjesë e qeverisë së ardhshme dhe se vetëm Fatmir Limaj duhet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi tha se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për më shumë barazi dhe drejtësi, të cilin vetëm Nisma Socialdemokrate mund tua ofrojë.

Derisa ka vlerësuar se Nisma është për ndryshimin që duhet t’i ndodh Kosovës, Krasniqi tha se Kosova përmes Nismës do avancojë edhe në sistemin arsimor dhe ekonomik.

Krasniqi tha se Fatmir Limaj është kandidati më kompetent që duhet të jetë në krye të qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Angazhimi ynë është që qytetari i Kosovë të rinj dhe të rejat e Kosovës perspektivën e tyre ta shohin në Kosovë, në atdheun tonë të përbashkët. Kam fatin të njoh të gjithë kandidatët tjetër që garojnë për kryeministrin e Kosovës, por jam i bindur se kandidati ynë është kandidati që ka një përvojë jetësore në shërbim të vendit, që është profesionist i mirë në profesionin e tij si jurist dhe në praktikën e tij qeverisëse ka treguar se është në shërbim të qytetarëve. Është kandidati më kompetentë për të qeverisur në qeverinë e ardhshme... Duke e pasur kryeministër kandidatin tonë, Kosova do t’i zhvillojë bisedimet me dinjitet dhe menjëherë pas kësaj, jam i bindur se shteti i Kosovës, Qeveria e Kosovës, do jetë qeveria më e suksesshme krahasim me të gjitha qeveritë e deri tashme”, deklaroi Krasniqi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate ka kritikuar subjektet tjera politike, se po vazhdojnë me premtime marramendëse, me qëllim të mashtrimit të qytetarëve.

“Bindja ime është se propozimet marramendëse që i dhënë nuk e kanë asnjë bazë, nuk kanë terren ku mund të zhvillohen dhe vërtet për mua është e qartë, ata njerëz vijnë me mashtruar, ata njerëz nuk e dinë çka është shteti, nuk e dinë se çka është buxheti dhe nuk e dinë se sa e kanë buxhetin e shtetit të tyre”, tha Krasniqi.

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se zgjedhjet e 6 tetorit janë zgjedhje që ndajnë epoka të rëndësishme për vendin që përfundimisht të arrihet marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Derisa kërkoi votën nga qytetarët e Fushë Kosovës për Nismën, Sherifi tha se Fatmir Limaj dhe Nisma duhet të jenë pjesë e kësaj qeverie, sepse Limaj ka qenë pjesë e çdo stacioni nëpër të cilin ka kaluar Kosova.

Duke shprehur besimin se pa Nismën Socialdemokrate nuk ka qeveri, Sherifi u dërgoi të gjitha partive politike duke u thënë t’i lënë mashtrimet, sepse në këto zgjedhje janë humbës.

“Pa Nismën nuk ka qeveri, Nisma gjithsesi është fituese e këtyre zgjedhjeve, e nëse del e para do jetë fitues i dyfishtë i këtyre zgjedhjeve. Pra, ne besojmë shumë se fitues i padiskutueshëm, është koalicioni ynë Nisma-AKR-PD, sepse nuk ka qeveri pa Nismën... Një mesazh pata për disa parti politike, të cilat shkojnë i mashtrojnë njerëzit për të ndërruar parti, e për të ndërruar lista puna e natës iu ka sjellur këtu në këtë derexhe që keni ardhur, ndaluni filloni, punoni ditën, lëreni natën, sepse nuk iu shpëton asgjë nga debakli që po iu pret nga këto zgjedhje. Kot mashtroni, kot i joshni njerëzit me premtime të pa vërteta, kthejuni vetvetes, pranojeni faktin se në këto zgjedhje jeni humbës”, tha ai.

Kandidatët nga Fushë Kosova për karrigen e deputetit të Kuvendit të Kosovës janë Arbnore Kelmendi, Driton Ademi, Eqrem Berisha, Lule Zabelaj.