Zgjedhjet 2019

Osmani: Vetëm kush e ka përnjëmend luftën kundër krimit dhe korrupsionit mund të bëhet partneri i LDK-së

Gjatë një takimi me qytetarët e Dragashit, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, tha se programi i saj qeverisës parasheh jetë të përballueshme financiarisht për nënat dhe baballarët.

“Ne dëshirojmë që për rininë e mrekullueshme të Dragashit dhe të krejt Kosovës të krijojmë kushte që ata të punojnë në Kosovë dhe të krenohen me Kosovën e tyre. Ne dëshirojmë të krijojmë kushte ku vajzat dhe djemtë më të mirë të këtij vendi do të jenë stama jonë e krenarisë”, theksoi Osmani.

Ajo thotë se Opoja e di shumë mirë se ditë të mira po i presin pas 6 tetorit, sepse sipas saj, LDK e ka vendosur familjen në qendër të programit të tyre.

“Ne dëshirojmë që jeta për nënat dhe baballarët tanë të jetë e përballueshme financiarisht. Kur po e shoh këtë përkrahje qytetare, po më duket e panevojshme të merrem me kundërshtarët e mi politikë”, shtoi Osmani duke shprehur besimin që “PAN-istat s’kanë më çka kërkojnë në Dragash”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, ajo tha se merita kryesore pse në këtë rajon nuk ka pasur gjakmarrje, u takon grave fisnike opojare.

“Ishin gratë e Opojës ato që e mbajtën familjen bashkë, ishin gratë e Opojës ato që i mbajtën shqiptarët bashkë. Nuk lejuan gjakmarrje. Ata që thonë se gruaja shqiptare nuk ka guxim, përgjigjen e marrin në Opojë”, pohoi Osmani.

Ajo u zotua se LDK-ja kurrë nuk do të qeverisë me parti që ia kanë ngulur thikën pas shpine, siç është PDK-ja.

“Vetëm kush e ka përnjëmend luftën kundër krimit dhe korrupsionit mund të bëhet partneri ynë qeverisës. Ju zotohem se ju kurrë më s’keni me u turpërue me liderët tuaj”, shtoi ajo.

Ajo foli edhe për Programin e saj qeverisës.

“Dragashi është komuna më e harruar e Kosovës, që meriton më shumë respekt për djersën dhe punën e secilit qytetar. Nuk do të lejomë që grantet e subvencionet t'i marrin të korruptuarit, do të garantojmë që ato grante t'i marrim bujqit dhe blegtorët e vyeshëm të kësaj ane”, tha në fund ajo.