Zgjedhjet 2019

Partitë e tjera serbe në Kosovë akuzojnë Listën Serbe për kërcënime e shantazhe

Descriptive Text

Lista Serbe akuzohet se po ushtron presion e shantazh të madh ndaj aktivistëve të partive të tjera serbe në Kosovë.

Në debatin për zgjedhjet në Çagllavicë të organizuar nga “Qendra Mediale”, Nenad Rashiq nga koalicioni “Liria”, Slobodan Petroviq nga Partia Liberale e Serbëve, dhe Aleksandër Jablanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës kanë akuzuar Listën Serbe për presion brutal ndaj serbëve të Kosovës.

E në këtë debat nuk ka marrë pjesë kandidati i Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Jemi duke vepruar në kushte shantazhi e presioni. Agresiviteti është rritur dhe u bë më brutal. Zonja e një aktivisti të partisë sonë, është kontrolluar në detaje, është marrë në pyetje, i kanë thënë se kontrata i skadon në tetor. Kështu është që prej themelimit të Listës Serbe në vitin 2013. Zgjedhjet në rendin e dytë, pra rezultati, pasi siguria e qytetarëve është mbi të gjitha, në rrethanat e tilla”, ka deklaruar Rashiq, raporton Koha Ditore.

Ai tutje ka thënë se vetëm një dialog përbrenda që udhëhiqet prej serbëve është relevant, të tjerat bisedimejanë të paqëndrueshme.

“Nxitja e dialogut në institucionet e Kosovës për pajtimin e dy popujve. Ka dezintegrim të serbëve në institucionet e Kosovës. Vetëm një dialog përbrenda që udhëhiqet prej serbëve është relevant. Bisedimet tjera nuk janë të qëndrueshme”, është shprehur Rashiq, kandidat për kryeministër nga koalicioni “Liria”.

Tutje ai ka shtuar se në vendet ju jetojnë serbët nuk ka pasur përparim në 20 vitet e fundit.

Ai ka thënë se koalicioni që ai e udhëheq ka strategji për fuqizimin e të rinjve.

“Strategji për të rinjtë me 30 pika. Në të gjitha komunat qendra për kualifikim profesional”, është shprehur Rashiq.

Derisa kreu i SLS-së, Slobodan Petroviq thotë se serbët kurrë nuk kanë pasur situatë më të vështirë se sa sot.

“Kjo fushatë duket gjithçka tjetër përveç fushatë. Po ndodhin ato për të cilat kemi paralajmëruar dhe po realizohen në masën më të madhe sesa që kemi pritur. Të gjitha këto presione janë në raportet e vëzhguesve të BE. Ata që po kërcënojnë janë nga Lista Serbe. Serbët kurrë nuk kanë pasur situatë më të vështirë sesa sot. Njerëzit që janë direkt të atakuar me kërcënime, kanë mbetur pa punë dhe pa ndihma sociale. Kemi dërguar dosje në prokurori, në Kosovë dhe Serbi. Ka xhirime audio të njerëzve që kanë dhënë deklaratat. Dëshirojmë të besojmë se do të gjendet dikush që e respekton ligjin”, ka deklaruar Petroviq, raporton Koha Ditore.

Tutje ai ka shtuar se të sëmurit e rëndë janë përzënë nga puna vetëm pse të afërmit e tyre janë në listën e liberalëve.

“Zonja Spasiq që punon në shtëpinë e shëndetit në Graçanicë ka probleme se burri i saj është anëtar i partisë liberale. E kanë përzënë nga puna, nën arsyen se kinse është e pasjellshme me pacientët. Por, ajo ka punuar 30 vite aty dhe të gjithë kanë pasur fjalë të mira. Një tjetër është kërcënuar me largim nga banesa sociale nëse babai i tij nuk tërhiqet nga partia jonë”, ka thënë Petroviq.

Petroviq thekson se janë shumë të frikësuar, derisa shton se kanë plane për arsim, ekonomi e punësim nëse dalin të gjallë nga fushata.

“Komuniteti ynë në frikë të madhe, por 13 mjekë haptas i kanë denoncuar shantazhet e kërcënimet. Nëse dalim të gjallë nga fushata kemi plan për arsim, ekonomi, punësim”, ka deklaruar Petroviq.

Në anën tjetër Aleksandër Jablanoviq ka deklaruar se sot më tepër frikësohen nga serbët se sa nga shqiptarët.

“Mos ardhja e Goran Rakiqit, akt i nënçmimit të organizatorit dhe qytetarëve. Frikë dhe nervozë tek Lista Serbe. Detyra jonë që të luftojmë krimin dhe korrupsionin në radhët tona. Mjediset serbe të robëruara nga kriminaliteti formal. Nuk mund të merremi me problemet tjera nëse nuk e luftojmë korrupsionin në mesin tonë. Problem ikja e qytetarëve tanë nga Kosova. Serbët çdo ditë e më pak frikësohen prej shqiptarëve, ata po frikësohen prej serbëve”, ka deklaruar ai.