Zgjedhjet 2019

Veseli thotë se korrupsioni prek të gjitha partitë

Kadri Veseli, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka thënë se korrupsioni në Kosovë prek të gjitha partitë.

Duke folur për “paktin kundër korrupsionit”, në Rubikon të KTV-së Veseli ka thënë se problemi më i madh në Kosovë është punësimi dhe humbja e shpresës te të rinjtë, e që vjen, sipas tij, nga korrupsioni e nepotizmi.

“Unë ka një vit që kam filluar reformat me PDK-në. Janë konkrete, jo fjalë. U kam shkuar deri në fund. I kam realizuar ato. S’kam lënë asnjë person me aktakuzë të ketë rol në udhëheqje, nga ministra, zëvendësministra. Kam menduar se do të kem përkrahje, s’ka pas veprime konkrete. Ka pasur skepticizëm. S’do të duhej të befasoheshin asnjë sepse fenomeni i korrupsionit po paraqitet si realitet qe dy dekada dhe po i dëmton shpresat e rinisë. Fenomen që prek të gjitha partitë politike. Shihni momentet e rënda me LDK-në, me VV-në, në qeverisjet lokale në Prishtinë e Prizren. Marrja e tenderëve, në mënyrë të kurdisur, punësimet nepotike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se luftimi i pakompromis i korrupsionit do të hapte rrugën për integrim euroatlantik të Kosovës.