Zgjedhjet 2019

Haziri thumbon PDK-në e Vetëvendosjen

Foto: Alban Bujari / Koha

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thumbuar liderët e partive të tjera dhe kandidatët për kryeministër.

Teksa ka folur në një tubim në Prishtinë, Haziri i ka quajtur “lideruca” krerët e partive të tjerë, teksa kryetarit të VV-së, Albin Kurtit i është referuar edhe me “Mr.Beani”.

“Më 7 tetor, Vjosa ka me ua lëshu atyre këngën e Minatorit ‘Maçoku me çizme”. Ne do ta dëgjojmë ‘Wind of Change’, domosdoshmërish edhe populli. Liderucat do të dëgjojnë këngën e Minatorit ‘Maçoku me çizme’. Cila është arma e vetme e liderëve të tyre? Sen s’po thonë, veç se këta do të fitojnë e do të shkojnë me ata që ishin. Ne ishim, ndoshta gabim, por kemi dëshmuar që punohet mirë në shtet. Kurrë më ata me neve s’mund të punojnë. Do të na shohin veç në televizor, të jeni të sigurt. Madje vetëm nëse u mbetet ndonjë pare për të ble kabllovikun”, ka thënë ai duke aluduar se partitë tjera po i thonë se LDK-ja do të bëjë sërish koalicion me PDK-në.

Ai ka pasur kritika edhe ndaj Kurtit, për deklaratat e këtij të fundit se pas zgjedhjeve, ai do ta bëjë kryeparlamentare Vjosa Osmanin.

“E dyta. Edhe ky lideri tjetër ‘Mr.Beani’ ka filluar të hyjë në kravatë, e t’u përngjajë njerëzve të LDK-së nga pak. S’mundet e s’ka të drejtë për tri arsye të thotë se Vjosa do të jetë kryetare e Kuvendit. Ne i kemi thënë jo, krejt LDK-ja i ka thënë jo. Ajo do të jetë kryeministre. Kryetarin e Kuvendit e cakton LDK-ja. Është e padrejtë t’u thuhet njerëzve këta fitojnë, mos i votoni se do të hyjnë me ata. Po bëjnë lojën e djallit me qytetarët”, ka deklaruar më tej Haziri.