Zgjedhjet 2019

Kandidatët për kryeministër me plane për dialogun

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja ndaj këtij dialogu, është një temat në të cilat janë fokusuar shumica e kandidatëve, të cilët partitë politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, i kanë nominuar për kryeministër të vendit.

Dy kandidatët për kryeministër të partive politike, të cilat në mandatin e kaluar legjislativ kanë qenë pjesë e opozitës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë përjashtuar mundësinë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces. Sipas tyre, rolin kryesor në udhëheqjen e këtij procesi do ta ketë Qeveria e Kosovës.

Vjosa Osmani, e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se procesin e dialogut me Serbinë, në rast se bëhet kryeministre, do ta udhëheqë ajo.

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria. Atë proces do të udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se secili nga kandidatët për kryeministër. Pasi që ne si qeveria ta negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshjen, në bashkëpunim gjatë gjithë kohës me Kuvendin dhe pasi të ratifikohet ajo marrëveshje në Kuvend, presidenti e ka një detyrë ceremoniale që ta vendosë nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë Osmani.

Përjashtimin e rolit kryesor të presidentit të vendit në udhëheqjen e dialogut me Serbinë, e ka theksuar edhe Albin Kurti, kandidat i nominuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, procesin e dialogut duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës. Ai ka theksuar se në rast se merr postin e kryeministrit, fillimisht duhet rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

Të plotë mund ta lexoni në REL