Zgjedhjet 2019

Limaj: Kosovës i duhet një kryeministër me përvojë dhe pjekuri politike

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj sot pasdite është takuar me struktura dhe simpatizantë të Nisma në Klinë, nga të cilët kërkoi mobilizim për t’u përgatitur sa më mirë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, tha se kandidatët për kryeministër duhet të ballafaqohen para qytetarëve për vizionin e tyre në udhëheqjen e shtetit.

Ai përmendi se në programin qeverisës kanë në prioritet mirëqenien e qytetarëve, sektorin privat, bujqësinë, por edhe dialogun me Serbinë.

“Unë si kandidat për kryeministër jam i gatshëm të dalë para qytetarëve të Kosovës për të dhënë përgjigje për çdo pyetje që kanë, por njëkohësisht për ta shpalosur programin e koalicionit. Pres që edhe kandidatët tjerë të jenë të gatshëm dhe kështu të zhvillohet gara... Mirëqenia sociale, reformat në drejtësi, diaspora, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe bujqësia, këto janë temat të cilat janë prioritet e mia në këtë vend. Por edhe dialogu me Serbinë, është një nga temat. Andaj, kryeministri i vendit duhet t’i përmbushë disa parakushte për të drejtuar vendin. Duhet përvojë politike, pjekuri politike, urtësi, profesionalizëm dhe kompetencë, një njeri që di t’u japë zgjidhje problemeve kur duken të pazgjidhshme”, tha Limaj, raporton ksp.

Sekretari i përgjithshëm i Nisma, Bilall Sherifi tha se në këto zgjedhje qytetarët masovisht duhet ta votojnë njeriun më të përgatitur, kandidatin për kryeministër Fatmir Limaj.

Sherifi ka numëruar tiparet dhe arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë Limajn për kryeministër.

“Janë tri arsye, e para është që Fatmiri, është përgatitur politikisht dhe juridikisht shumë më shumë se kandidatët tjerë. Andaj, qeveria e ardhshme kërkon një kryeministër, i cili i njeh mirë këto dy fusha, për faktin se këto dy drejtime kanë rëndësi për bisedimet me Serbinë”, deklaroi Sherifi.

Muhamet Gashi, kryetar i Degës së Nisma në Klinë, njëherësh kandidat për deputet për legjislaturën e shtatë, tha se kjo parti është e angazhuar mjaft që të dalë fituese, pasi ka programin më të mirë për qytetarët se të partive të tjera.

“Dega e Nisma në Klinë është angazhuar si asnjë herë më parë që të dalë e fuqishme në zgjedhjet e 6 tetorit. Me besimin e plotë, vota e qytetarëve të Klinës do të jetë votë për Nismën Socialdemokrate dhe për kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj”, deklaroi Gashi.

Në këtë tubim partiak, të pranishëm ishin edhe ish-deputetë të kësaj partie.