Zgjedhjet 2019

Ish-deputetët që s’e duan më këtë post, legjislatura e gjashtë vlerësohet më e dobëta

Ndonëse shumë ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës dukshëm e pranuan se legjislatura e gjashtë ishte më e dobëta ndonjëherë, shumë prej tyre nuk duan ta mbajnë këtë titull në legjislaturën e ardhshme.

Disa prej tyre kanë njoftuar edhe publikisht arsyet pse s’do të kandidojnë më.

Artan Muhaxhiri, analist politik, në një deklaratë për Koha.net tha se legjislatura e gjashtë ishte më e dobëta e më e papërgjegjshmja, por prej kësaj vjen një e mirë, pasi tash presioni publik është më i madh dhe partitë e legjislaturës së shtatë, s’do t’i përsërisin gabimet e së kaluarës.

Kësisoj, Muhaxhiri parasheh se legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të ketë rritje kualitative dhe do të jetë më e suksesshme.

“Legjislatura e sapopërfunduar ishte më e dobëta dhe më e papërgjegjshmja në historikun e ri parlamentar kosovar nga viti 2001. Me vetëm 20 për qind efektivitet në miratimin e ligjeve dhe me raste të shpeshta të mungesës së kuorumit, deputetët nuk i arsyetuan rrogat dhe beneficionet institucionale që i shijuan në këtë periudhë. Improvizimet mediokre të PAN-it e ulën së tepërmi kualitetin profesional he moral të të zgjedhurve, ndërsa çarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cenoi impulsin e dellit opozitar”, ka thënë Muhaxhiri.

Tutje, ai ka shtuar se “paradoksalisht, ekziston një e mirë nga të këqijat e kësaj legjislature, pasi tash presioni publik është shumë i madh ndaj partive që të mos i përsërisin gabimet e herës së kaluar, rrjedhimisht të përfshijnë sa më shumë njerëz meritorë në listat zgjedhore”.

“Gjatë dy viteve të kaluara u dëshmua se injoranca politike dhe matrapazllëku – përveç se janë të dëmshëm për qytetarët dhe institucionet – iu kthehen bumerang edhe vet partive që i ushqejnë. Prandaj, legjislatura e ardhshme sigurisht do të ketë rritje kualitative dhe punë më të suksesshme”, shtoi Muhaxhiri për Koha.net.

Aida Dërguti ish-deputete e PSD-së, dikur e Vetëvendosjes, ishte ndër të parat që e dha këtë lajm.

Ajo tha se zhvillimet politike i ka përcjellë me vëmendje, por se s’është angazhuar. Kësisoj, si deputete s’do të garojë por votën e saj do ta japë për PSD-në.

Të gjitha partitë politike janë zotuar se në zgjedhjet e 6 tetorit nuk do të garojnë me persona të cilët kanë probleme me ligjin.

Naser Osmani ish-deputet i LDK-së, i cili ka aktakuzë nën dyshimet për keqpërdorim të fondit 3 %, ka njoftuar se s’do të kandidojë për deputet. Këtë vendim thotë ta ketë marrë “për të garantuar proces gjyqësore pa asnjë ndikim”.

Ish-deputeti Korab Sejdiu, i cili si pjesë e AKR-së kishte garuar në koalicion bashkë me LDK-në, nuk do të garojë përsëri për këtë post. Thotë se ka marrë oferta nga LDK-ja e nga Vetëvendosja, e shton se “do të donte të garonin të dyja bashkë”, porse kjo nuk ndodhi dhe ai s’është bashkuar me asnjërën.

As Ilir Deda ish-deputet i Alternativës s’do të garojë për zgjedhjet e 6 tetorit. Këtë njoftim faktikisht Deda e kishte bërë më 8 dhjetor të 2018-s. Deda në njoftimin që e bëri publik për të njoftuar se më s’kandidon tha “refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike, esencialisht primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme".

Edhe Faton Topalli, ish-deputet i PSD-së, njoftoi se nuk do t’i hyjë garës për deputet. Topalli, madje ka thënë se duke qenë deputet nuk e ka pasuruar atë veçse i ka shkaktuar humbje të mëdha materiale. Porse thotë se e ka bërë me qejf pasi ka punuar për popullin.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare e kanë vlerësuar legjislaturën e gjashtë mjaft joefikase. Ajo del të jetë ndër më të dobëtat deri tash.

Kujtojmë se përbërja e gjashtë e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë më 22 gusht, gati një muaj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. E më pas, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat pritet të mbahen më 6 tetor.

Gjithashtu, kujtojmë se sot është afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve të partive për deputetë.