Video

“Rruga e Kombit” pa pagesë vetëm edhe këtë sezon turistik

Kosovarët që do të kalojnë pushimet këtë në vit në Shqipëri, nuk do të paguajnë taksë për Rrugën e kombit, por kjo do të ndodhë vetëm edhe këtë sezon turistik.

Fluks i madh i qytetarëve kanë kaluar nëpër këtë rrugë vetëm gjatë këtij vikendi, raporton KTV.

Për shumicën nga ta, taksa për rrugën nuk do të ndikojë që të vizitojnë shtetin shqiptar.

Por, kërkojnë çmim të arsyeshëm, meqë thonë se qarkullimi mes dy shteteve duhet të jetë i lirë.

Pagesa nga 5 euro për veturat dhe rreth 20 euro për kamionët në autostradën që lidh Kosovën me Shqipëri, kishte nisur më 29 mars.

Vetëm dy ditë ka funksionuar pagesa në këtë rrugë, pasi më 31 mars banorët e Kukësit gjatë protestës për t’i kundërshtuar çmimet, i vunë flakën sportelit që ishte vendosur për mbledhjen e taksës. Ndërsa, kompania përgjegjëse është duke punuar në rregullimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Tarifa për banorët e Kukësit dhe zonave përreth pritet të jetë 1.5 euro për një kalim.

Ndërkohë, Kompania “Salillari & Kastrati” është duke punuar edhe në shtimin e korsive.

Punimet këtu pritet të përfundojnë në shtator, atëherë edhe kur do të nisë pagesa.