Video

Dëme të shumta nga vërshimet në Gjilan, komuna fajëson banorët

Shtëpia e Bajram Salihut në rrugën “Malësia”, në Lagjen e tetë, të Gjilanit edhe 24 orë pas reshjeve të mëdha të shiut, është kthyer në gjendje kaotike.

Reshjet e shiut kanë vërshuar bodrumin e shtëpisë së tij, ku si pasojë atij i janë shkaktuar dëme të mëdha në teknikë të bardhë në vlerë prej 10 mijë eurosh, raporton KTV.

Kjo nuk është hera e parë që Bajramit dhe pothuajse secilës familje të kësaj lagjeje, e gjithë nata e së shtunës u ka shkuar duke u munduar t’i sanojnë dëmet e shkaktuara.

Aty mungon infrastruktura rrugore duke përfshirë këtu edhe mungesën e rrjetit të kanalizimit.

Banorët ankohen se punimet që janë duke u bërë në asfaltimin e rrugës, të cilat kanë nisur tash e një kohë të gjatë, janë shkaktarët kryesorë të këtyre vërshimeve.

Madje, sipas tyre, ky asfaltim ka nisur vetëm dy ditë para zgjedhjeve, ndërsa ende nuk ka përfunduar.

Ata thonë se kanalizimi aktual është rregulluar shumë kohë më parë kur numri i shtëpive në këtë lagje ishte shumë më i vogël. Ndërsa, tash kur numri i shtëpive është rritur jashtëzakonisht shumë, asgjë nuk ka ndryshuar.

Në disa shtëpi, pos ujit nga vërshimet, ka depërtuar edhe zhavorri nëpër dhoma të ndejës.

Derisa banorët ankesat i drejtojnë te komuna, zyrtarë e kësaj të fundit thonë se vetë banorët janë fajtorë për këtë gjendje.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Gjilan, Naser Korça, banorët kanë ndërhyrë në rrjedhjen natyrale të reshjeve të shiut duke bllokuar kështu pastaj edhe kanalizimin.