Video

FFK-ja prezanton fanellat e reja me logon e re

Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar fanellat e reja, të cilat janë punuar nga kompania zvicerane “Fourteen”, e cila ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me FFK-në .

Para se të niste prezantimi, u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të Fadil Vokrrit, e ku prezentë ishin familjarët e legjendës së futbollit kosovar, të cilët si dhuratë morën fanellën me numrin 9-të, raporton KTV.

Drejtoi i kompanisë “Fourteen”, Andrea Picciau, deklaroi se kanë arritur marrëveshje me Fadil Vokrrin një ditë para se ai të ndahej nga jeta.

Ai tregoi karakteristikat e fanellave të reja, të cilat, sipas tij, janë elegante dhe të përshtatshme për sportistët.

Futbollistët Edon Zhegrova, Herolind Shala, futbollistet Edona Kryeziu e Florentina Kolgeci, si dhe Geta Beqa dhe këngëtari Trim Ademi, i cili është i biri i nënkryetarit të FFK-së, Agim Ademi, ishin ata që veshën të parët fanellat e reja të Kosovës dhe i prezantuan para të pranishmëve.

Përveç fanellave dhe sponsorit të ri, Federata e futbollit e Kosovës ka prezantuar edhe logon e re, e cila është punuar nga Salih Musliu, por ai nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e prezantimit.

Të kënaqur me fanellat dhe logon e re, ishin edhe nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu, të cilët premtuan se projektet e nisura nga ish – kryetari Vokrri, do t’i vazhdojnë deri në fund dhe do ta çojnë futbollin e Kosovës përpara.

Fanellat e reja, do të përdoren nga të gjitha Përfaqësueset e Kosovës në të dyja konkurrencat.