Video

Ministri fajëson KESCO-n për reduktimet e rrymës

Përkundër reduktimeve të shumta, qytetarët e vendit megjithatë, po i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Ata thonë se janë mësuar me reduktime.

Reduktimet e ditëve të fundit i kanë bërë bashkë të gjithë akterët e sektorit të energjisë, raporton KTV.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, fajtor për reduktime e bënë KESCO-n, pasi sipas tij, nuk ka ditur të planifikojë si duhet importin e nevojës për energji elektrike.

Mirëpo, sipas Llukës, ky problem deri në qershor do të zgjidhet.

Ndërsa nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike thonë se për dëme të tilla, sipas ligjit, operatorët, në këtë rast KESCO, mund të ndëshkohen me 10 përqind të të hyrave vjetore. Mirëpo, Arsim Janova tha se ende nuk mund të shpalosë se cilat janë veprimet që ZRRE-ja do të ndërmarrë, për shkak se kjo çështje është ende duke u shqyrtuar.

Lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike, dje kishte reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.