Video

“Befasia” e borës në pranverë shkakton 34 aksidente vetëm në Prishtinë

Punëtorët e kompanive të pastrimit të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës nuk e kanë prishur fare gjumin mëngjesin e së enjtes.

Pothuajse të gjitha rrugët magjistrale ishin të mbuluara nga reshjet e mëdha të borës, gjë që ka vështirësuar qarkullimin në komunikacion të automjeteve.

Vetëm para orës 10:00, kamionët për pastrim janë aktivizuar derisa arritën t’i pastrojnë rrugët nga bora e madhe.

Më të vështirë e kanë banorët e fshatrave, për shkak se çdo herë janë të lënë anash nga kompanitë e pastrimit.

Kjo sepse asnjë nga to nuk e merr mundin t’i pastrojë rrugët e fshatrave, që shpeshherë janë të paqarkullueshme.

Por, në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se kanë intervenuar në pastrimin e rrugëve dhe se, sipas tyre, pothuajse të gjitha janë të qarkullueshme.

Mospastrimi i rrugëve me kohë, shumë qytetarëve u ka kushtuar me aksidente në trafik.

Sipas të dhënave të Policisë, numri i aksidenteve është rritur ku vetëm në komunën e Prishtinës deri në mesditë kanë ndodhur 8 aksidente me të lënduar dhe 26 të tjera me dëme materiale.