Video

Tre vajza penguan fjalimin e ministres Hoxha

Një herë në Kuvend e tash edhe në një aktivitet tjetër, Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, i është ndërprerë fjala nga aktivistë të Vetëvendosjes, raporton KTV.

Tri vajza para ministres kanë mbajtur një pankartë me fotografinë e Astrit Deharit dhe sloganin “Dhuratë je e përlyer në krim”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, është përballur me një situatë aspak të këndshme por edhe të sikletshme.

Derisa ministrja Hoxha ishte duke folur në Javën e Gruas, me rastin e themelimit të Fondacionit Jahjaga, asaj i është ndërprerë fjalimi nga tri vajza.

Ato mbanin në duar pankartën me mbishkrimin “Dhuratë je përlyer me krimin që e kry” dhe me fotografinë e ish-aktivistit Astrit Dehari në të.

Pavarësisht kësaj, Hoxha është munduar të vazhdojë fjalimin, derisa gjatë gjithë kohës atë e pengonte zhurma, të cilën e shkaktonin aktivistet e Vetëvendosjes.

E ndier keq, Jahjaga është munduar t’i bindë vajzat që të largohen nga skena por nuk ia arriti qëllimit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili për çudi gjatë gjithë kohës ka mbajtur kokën ulur, duke mos shikuar fare nga këto tri vajza të pakënaqura.

Hoxhës iu ndërpre fjalimi edhe në Kuvend, javën e shkuar, gjatë interpelancës për Rastin Dehari, ku ajo tha se partia e Albin Kurtit ishte pro-ruse.

Astrit Dehari, i arrestuar si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, vdiq pasditen e 5 nëntorit të 2016-ës në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.