Video

Zonat e lira ekonomike ende vetëm në letër

Në vitin 2014, ish-kryeministri Hashim Thaçi, kishte shpallur Zona të Lira Ekonomike Gjakovën dhe Mitrovicën, për të pasuar më vonë edhe me Prizrenin.

Ky vendim ishte marrë, duke u bazuar në Koncept-planin kombëtar për zhvillimin e zonave ekonomike në Kosovë 2014-2018. Mirëpo, deri tash, ky vendim nuk ka rezultuar me asnjë veprim konkret, bën të ditur KTV.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se ky ka qenë vetëm premtim elektoral. Ndonëse nuk mendon njëjtë si ministrja Bajrami, e para e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky vendim mund të jetësohet fare lehtë. Sipas saj, është e pakuptimtë mungesa e vullnetit politik për të shtyrë një projekt të tillë.

Ndërkaq, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, thotë se ish-kryeministri Thaçi, e kishte marrë këtë vendim pa bërë analizat e duhura për shpalljen e këtyre Zonave të Lira Ekonomike.

Krijimi i Zonave të Lira Ekonomike ishte bërë me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe vendore, përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik, ngritjes së standardit të jetesës dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.