Video

Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit

Në “Indeksin e perceptimit të korrupsionit 2017”, të publikuar nga Transparency International, Kosova ka zënë vendin e 85-të, duke shënuar progres prej tri pikësh në krahasim me vitin e kaluar.

Majlinda Kurti, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Kosova nuk duhet të ndalë luftën kundër korrupsionit, transmeton KTV.

Ndërsa Arben Kelmendi tha se fusha në të cilën duan të shohin më shumë progres është ajo e gjyqësorit, pasi sipas tij, ai vazhdon të ndikohet nga ndërhyrjet politike dhe nepotizmi.

Sipas këtij indeksi, Shqipëria renditet në vendin e 91-të me 38 pikë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë, ndërsa ndan të njëjtin pozicion me Bosnje dhe Hercegovinën sa i përket rajonit të Ballkanit.

Ndërkohë, Zelanda e Re është në vendin e parë me 89 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Somalia.

Në raport analizohen 180 vende në bazë të nivelit të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik, përmes një shkalle vlerësimi nga 0 në 100 pikë, ku zeroja tregon një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-a një vend pa korrupsion.