Video

Çfarë tha ish –imam Krasniqi në seancën e sotme gjyqësore

Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ka thënë se është një prej të parëve që ka bërë thirrje të mos shkohet në Siri, duke kundërshtuar që të ketë ndikuar në këtë fenomen. Megjithatë, ai ka mbrojtur qëndrimin e tij kundër ligjit që ndalon bashkimin në konflikte të armatosura, e këtij qëndrimi ka thënë se i paraprin edhe qëndrimi i të 30 deputetëve që e kishin kundërshtuar ligjin.

Mbi 5 mijë ligjërata e mbi 30 libra të shkruar pretendon t’i ketë ish-imami i xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Dy nga këto ligjërata, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë dëgjuar në cilësinë e provave, ku Krasniqi është i akuzuar për shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe shmangie nga tatimi.

Pasi dy dëshmitaret e parapara për këtë seancë nuk kishin mundësi të vinin dhe deklaratat e tyre u konsideruan të lexuara, Krasniqi u mor në pyetje fillimisht nga avokati i tij e pastaj edhe nga prokurori Elez Blakaj.

Krasniqi mohoi të ketë ndikuar që kosovarët t’i bashkohen konfliktit të armatosur në Siri.

Në njërën prej videove që u shfaq gjatë administrimit të provave, ai mban qëndrim kundër ligjit për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura.

Në këtë seancë, mbrojtësi i Krasniqit i ka ofruar trupit gjykues dhe prokurorisë shkresa nga ATK-ja, lidhur me shlyerjen e obligimeve që kishin të bënin me pikën tre të akuzës, por për këtë gjyqtari Kalludra caktoi seancë më datën 13, për t’i sqaruar bashkë me një ekspert nga ky institucion.

Pas seancës së datës 13, pritet që rasti të procedojë me fjalët përfundimtare dhe shpalljen e aktgjykimit.