Video

Amerikanët urojnë Kosovën

Duke filluar nga ish-presidenti, Bill Clinton, e deri tek ambasadorja e SHBA-së në OKB, e cila foli edhe në emër të presidentit Trump, të gjithë amerikanët lëvduan përparimin që shënoi Kosova në këto 10 vjet të fundit, duke përkujtuar se ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Kosova gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time, dhe unë isha me fat që arrita t’ju ndihmoj si President i SHBA-së të ndiqni një të ardhme të prosperitetit dhe tolerancës. Ky përvjetori ju jep mundësi të shikoni përpara, dhe të punoni për tejkalimin e sfidave që mbesin. Unë besoj se vendi i Kosovës është si anëtar i plotë i BE-së dhe NATO-s”, ka thënë mes tjerash Clinton, raporton KTV.

Në anën tjetër, ish-sekretarja e shtetit Madelaine Albright tha se ndonëse të ndarë nga oqeani Kosova e populli i saj janë në mendjen e saj. “Sa herë që mendoj se çfarë më bën krenare në arritjet e mia them se ishte ndihma ofruar popullit të Kosovës. Gjatë 10 vjetëve të shkuara pashë Kosovën duke ndërmarrë hapa për prosperitet dhe integrim në bashkësinë evropiane”, tha Albright.

Ajo përkujtoi se politika dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë andaj Kosova duhet të përkushtohet ndaj demokracisë derisa të kujtojnë se sundimi i shumicës varet edhe nga të drejtat e pakicës

Një tjetër ish-sekretare, Condoleeza Rice, tha se gjatë këtyre 10 vjetëve Kosova ka punuar shumë dhe e bëri vendin demokratik e stabil. “Duhet bërë akoma më shumë. Demokracia ka shumë përgjegjësi dhe nga ju varet ta ruani atë. Kosova ka filluar të arrijë qëllimet e veta dhe për këtë duhet të jeni krenarë”.

Wesley Clarck ish-gjeneral i Ushtrisë amerikane në video mesazhin e tij tha se i kujtohet guximi i popullit kosovar, derisa kalonte nëpër periudhën e vështirë të luftës.

“Më kujtohen njerëzit që janë më të fuqishmit e më të guximshmit në Evropë dhe më pro-amerikanët në Evropë. Tani duhet të krenoheni me atë çfarë keni arritur dhe të shihni si të ecni drejt të ardhmes. Duhet të tejkaloni frikën e izolimin, ndarjet dhe tensionet etnike që jetuan me shekuj në Ballkan”, tha Clarck.

Dhe kongresisti Eliot Engel tha se për 10 vjetorin e pavarësisë do të jetë në Prishtinë. Ai përmendi se sa i përfshirë është në arritjet e këtij vendi dhe se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që t’i qëndrojë Kosovës afër.

Dhe ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Halley në emrin e presidentit Donald Trump uroi Kosovën dhe tha se SHBA-ja është krenare për miqësinë me Kosovën.