Përplasje rreth Policisë në Kuvend

08 shkurt 2018 19:15

Skandali i kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, ka nxitur diskutime në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi tha se kjo tregon që ka shtrirje të rrjetit deri në majat e policisë, duke vazhduar në segmente tjera deri te prokurori.

Ai kërkoi nga drejtori i Policisë së Kosovës të mos i mbrojë ata që bëjnë vepra penale.

Por, ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, tha se ai ka ndërmarrë veprimet ligjore, duke e suspenduar inspektorin dhe tha se veprimet e tij nuk bëhen me fishekzjarre.

Për policinë u fol edhe më tutje.

Zafir Berisha ka pyetur ministrin Sefaj se sa është numri i policëve të Kosovës që kanë statusin e invalidit të UÇK-së.

Madje tha se dyshohet se disa prej policëve që janë invalidë janë të lajmëruar si persona që nga lufta kanë dalë me pasoja të krizave psikike.

Ministri tha se janë 148 policë që kanë statusin e invalidit. IPK-ja, sipas tij, po e heton këtë dukuri.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së Vjosa Osmani ka folur për strategjinë e publikuar nga Komisioni Evropian ditë më parë.

Tha se lidershipi i Kosovës e ka vënë në dyshim orientimin strategjik që Kosova e ka përcaktuar me disa dekada, duke u konfrontuar vazhdimisht me BE-në dhe SHBA-në.

Aty u fol edhe për gjendjen e keqe të shtëpive muze në lagjen e Jasharajve në Prekaz. U kërkua që të ketë intervenime të shpejta meqë rrezikohet rrënimi i kullave.

Ndërkohë, LDK-ja ka lëshuar sallën meqë deputetët e shumicës nuk e votuan mocionin e tyre për të hequr nga rendi i ditës pikën për ku pritej të bëhej votimi i anëtarëve të rinj të këshillit shtetëror të cilësisë.

Kështu LDK-ja e lëshoi sallën.

Por, para kësaj ka mbledhur nënshkrimet për të dërguar në kushtetuese vendimin e qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve ambalazhuesve të ujit në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme