Mish i kalbur nga Brazili edhe në Kosovë?

22 mars 2017 11:12

Kosova ka shumë mundësi të jetë prekur nga fenomeni i mishit të kalbur, skandal që ka shpërthyer në Brazil pak ditë më parë, raporton KTV. Kjo për faktin se vendi ynë importon tonelata mishi, si të gjedhit, ashtu edhe të pulës.

Autoritetet kompetente kosovare për kontroll të cilësisë së këtij produkti thonë ta kenë ngritur nivelin e kontrollit, ndërsa bllokadën e mundshme të këtij produkti do ta bëjnë vetëm në momentin kur një vendim merret në nivel evropian.

Shoqëria civile thotë të mos jetë rasti i parë që konsumatorët janë të rrezikuar skajshëm nga produktet e rrezikshme. Madje, sipas tyre, nuk ka vullnet politik për mbështetjen e institucioneve përgjegjëse për t’i mbrojtur më shumë konsumatorët, pasi vetë njerëzit nga politika janë të lidhur me tregtarët.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, kemi importuar 13.3 milionë kilogramë mish gjedhi dhe pule, në vlerë prej mbi 23.6 milionë eurosh.

Deri më 20 mars të këtij viti, Kosova ka importuar 1.8 milionë kilogramë mish në vlerë prej mbi 3.7 milionë euro.

Brazili është një prej eksportuesve më të mëdhenj të mishit në botë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme