Video

Specialja përplas partitë edhe në Strasburg

Gjykata Speciale ka përplasur LDK-në me partitë tjera që mbështesin shfuqizimin e saj edhe në Strasburg.

Në takimin e katërt të delegacionit të Kosovës me deputetë evropianë, ka dështuar miratimi i konkluzioneve të përbashkëta në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, raporton KTV.

E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të kundërshtimit nga ana e deputetëve të koalicionit qeverisës të një paragrafi, i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e Gjykatës Speciale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Nga Strasburgu, përplasja vazhdoi në Prishtinë, në Kuvendin e Kosovës.

Gjithçka kishte nisur me një komunikatë për media të LDK-së, e cila kishte akuzuar partitë në pushtet që po dëmtojnë raportet e Kosovës me Parlamentin Evropian me tentimin për të shfuqizuar specialen.

Por, shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se gjithçka aty është e pavërtetë, derisa ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur atje.

Ai ka thënë se LDK-ja është në një vijë me Listën Serbe.

Por, atij i është kundërpërgjigjur Vjosa Osmani e LDK-së.

Madje ka bërë të ditur se për këtë çështje ka kërkuar edhe debat parlamentar.

Ndaj deklaratave të Krasniqit ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se partner qeverisës Listën Serbe e ka PDK-ja, madje vetë PDK-ja e ka pritur mbi 5 orë miratimin dhe ardhjen nga Beogradi të Listës Serbe.