Drejtori i PTK-së sulmohet nga dy policë

30 dhjetor 2017 19:07

Drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, është përfshirë në një përleshje fizike me dy zyrtarë policorë, të shtunën.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, e cila ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13 në rrugën “Enver Zymberi” në kryeqytet, raporton KTV.

Menjëherë për ngjarjes, në deklarimet për mediat online, Mustafa ka thënë se është sulmuar nga dy policë, drejtori i departamentit për krime ekonomike, Nazim Sahiti dhe zyrtari tjetër i njohur si “Tarkani”.

Sahiti e konfirmuar rastin të cilin e ka quajtur “vetëm fjalosje”, por ka mohuar të jetë përfshirë në të.

“Nuk është e vërtetë që ka qenë rrahje. Ka qenë një fjalosje ndaj Mustafës dhe një kolegut tim. Unë kam qenë në veturë duke e pritur kolegun tim, kam dalë nga vetura vetëm për ta zgjidhur çështjen”, ka thënë Sahiti për “Koha.Net”.

Në konfliktin fizik, sipas zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, kanë qenë të përfshirë 4 persona, 2 prej të cilëve kanë pësuar lëndime trupore.

Të njëjtit më pas janë intervistuar nga forcat e rendit.

Vetë Mustafa ka qenë i paqasshëm në telefonin e tij, edhe pse televizioni ka provuar të kontaktojë me të dhjetëra herë gjatë ditës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme