Video

Krejt çka ndodhi rreth Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes

Si rrallëherë. në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, delegatëve nga kjo foltore u është drejtuar nënkryetarja e partisë, Fatmire Kollçaku, në mungesë të kryetarit Visar Ymeri.

Ymeri ka zgjedhur një formë tjetër për t’iu drejtuar aktivistëve të këtij subjekti.

Përmes një letre ka thënë se mbajtja e kësaj mbledhjeje në këtë situatë të tendosur dhe me delegatë jo të informuar mirë, sipas tij, nuk është mundësi e mirë për zgjidhjen e problemeve brenda partisë.

Në këtë mbledhje që është thirrur pas përplasjeve të fundit në këtë parti nuk ishin të pranishëm as Dardan Molliqaj e Aida Dërguti.

Por ka qenë nënkryetarja Kollçaku që ka kërkuar bashkim siç ka thënë ajo jo rreth një personi, por vlerave demokratike të VV-së.

Mbledhja ka vazhduar pa praninë e mediave, ku pas përfundimit është bërë e ditur se është vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të partisë.

Kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm, Hydajet Hyseni dhe Ushtruesi i detyrës së sekretarit të VV-së, Ismajl Kurteshi thanë se mbledhja është karakterizuar me frymë demokratike.

Kanë deklaruar se subjekti i tyre është më unik se kurrë.

Në anën tjetër në mbledhje është diskutuar edhe për koalicionet e Vetëvendosjes në komunat që kanë fituar .

Këtu televizioni merr vesh se ka pasur mospajtime rreth koalicionit të Shpend Ahmetit me AAK-në.

Ka qenë ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tash deputete në Kuvendin e Kosovës, Arbërie Nagavci e cila nuk është pajtuar kjo drejtori të udhëhiqet nga AAK-ja.

Kundërshtime ka pasur edhe për drejtorinë e Inspeksionit, ku pritet që edhe me këtë drejtori të udhëheqë AAK-ja.

Sipas Hysen Durmishit, nëse ndodh kjo ndërtimet pa leje do të vazhdojnë si në kohën kur kryeqyteti nuk qeverisej nga Vetëvendosje.

Mospajtime ka pasur edhe për koalicionin me AKR-në, por me gjithë kundërshtimet, Këshilli ka aprovuar këto marrëveshje në Prishtinë, ashtu siç ka vepruar edhe për marrëveshjet në Prizren.