Video

Haradinaj: Ministria e Financave duhet të ndihet në siklet për zhvillimin ekonomik

Mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që prej kur u bë kryeministër, Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar për t’u bërë thirrje anëtarëve të këshillit të jenë më të guximshëm për kërkesat e tyre.

Sipas kryeministrit, ky këshill mund të identifikojë veprimet që mundësojnë zhvillimin ekonomik, raporton KTV.

Pasi ka folur për nevojën për krijimin e lehtësirave për bizneset në mënyrë që ato të garojnë në rajon, Haradinaj ka kërkuar guxim dhe veprime konkrete nga ky këshill.

Ndërkaq, ka shtuar se e vetmja që duhet të ndihet në siklet është Ministria e Financave.

Nëse nuk ndodh kjo, sipas Haradinajt, ky këshill nuk do të kishte kuptim.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë ky këshill ka qëllim kryesor debatin me sektorin privat.

Në mbledhjen që ka vazhduar pa praninë e mediave, sipas njoftimit të Qeverisë, është folur për Ligjin e ri të Punës, Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.