Video

Abrashi e zhvilloi fushaten si i pavarur

Gara në Prishtinë i ka dhënë krahë Arban Abrashit. Jo gjatë mjaftueshëm sa për të udhëhequr me Prishtinën, por mjaftueshëm sa për të shtrirë dukshëm ndikimin e tij në LDK, raporton KTV.

Suksesi në rundin e parë dhe gara tepër e ngushtë me kryetarin Shpend Ahmeti, nuk ka kaluar pa pakënaqësi brenda LDK-së.

Në fakt, vetë Abrashi e shijoi këtë sukses duke provuar të injorojë planet dhe strategjitë e vetë partisë.

Që prej fillimit, por sidomos në garën për balotazh, Abrashi kishte vepruar krejtësisht i pavarur nga partia.

Ai e kishte shtabin e tij zgjedhor, që merrej me fushatën dhe strategjinë e garës, duke propozuar edhe formatin e dështuar të debateve 555.

Kur Isa Mustafa kishte thirrur një mbledhje me kandidatët që kishin kaluar në balotazh, për të diskutuar për strategjinë e 19 nëntorit, Arban Abrashi nuk kishte shkuar aty.

Ishte kaq i madh injorimi i Abrashit ndaj partisë, saqë KTV-ja merr vesh se Mustafa dhe partia e kishin parë edhe si opsion tërheqjen e Abrashit nga gara.

“Je kandidat i LDK-së, jo kandidat i pavarur”, i kishte thënë Mustafa Abrashit.

KohaVisioni ka tentuar të flasë për këto me Abrashin por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Figurat kryesore të partisë nuk u panë shumë, e disa fare pak, në fushatën e kandidatit të Prishtinës.

Lumir Abdixhiku e Vjosa Osmani e kishin mundësinë për të qenë kandidatë, por e kishin refuzuar, duke menduar se gara do të shkonte shumë lehtë në favor të Ahmetit.

Rrjedhimisht, të dy nuk ishin aspak të lumtur me rezultatin e Abrashit dhe rritjen e tij në parti.

Për rezultat të mirë nuk ishin të interesuar as Lutfi Haziri e Agim Veliu, që kanë synime të kamotshme për të marrë drejtimin e partisë.

Në fakt, pjesa më e madhe e kryesisë e kishte pikërisht këtë brengë – rritjen aq të madhe të Abrashit nëse do të zgjidhej kryetar, sa do t’i rriteshin ambiciet për ta synuar kreun e partisë.

Por, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Abrashi do të jetë vetëm një nga 27 deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së.