Kuvendi ende pa vendim për demarkacionin, Mali i Zi e quan të mbyllur këtë temë

11 dhjetor 2017 23:36

Është bërë një javë prej kur marrëveshja për demarkacionin, bashkë me raportin e komisionit të ri, është proceduar në Kuvendin e Kosovës, por materiali tek të premten iu ka arritur në kutitë postare deputetëve të republikës.

Madje thuhet se janë mijëra faqe që qeveria ua ka sjellë secilit deputet që t’i shqyrtojë ato para se në seancë të jetë si pikë e rendit të ditës marrëveshja për demarkacion, përfshirë edhe hartat, raporton KTV.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se brenda kësaj jave merret vesh se kur mund të jetë një mbledhje e Komisionit, meqë anëtarët e komisionit kanë kërkuar kohë deri sa të shqyrtojnë komplet dokumentacionin.

Ajo ka sqaruar se si do të trajtohet raporti i komisionit të ri që nga qeveria u procedua bashkë me marrëveshjen e 2015-ës.

Derisa PDK-ja ditë më parë tha se po planifikon mbledhjen e nënshkrimeve e takime me të gjitha grupet parlamentare para se demarkacioni të bëhet pjesë e seancës plenare, Osmani thotë se LDK-ja nuk do t’i bashkohet asnjë iniciative.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga PDK-ja, porse asgjë nuk kanë pranuar të flasin më shumë sesa që po e shqyrtojnë raportin që ua ka sjellë qeveria.

Qëndrimi i Vetëvendosjes, AAK-së e Nismës është i qartë, vota kundër kësaj marrëveshjeje.

Por, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka përsëritur se çështja e demarkacionit ka përfunduar.

Ai, pas takimit me presidentin shqiptar, Ilir Meta, ka thënë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe me durim po presin zgjidhjen e saj.

“Sa i takon ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Kosovën, ne kemi përcaktuar qëndrimin tonë shtetëror. Kjo marrëveshje është e mbyllur. Pas një komunikimi të mirë mes dy qeverive, është nënshkruar në Vjenë dhe është ratifikuar me Malin e Zi. Me durim e shohim këtë gjë, është një çështje e brendshme e Kosovës dhe e kuptojmë që brenda në Kosovë duhet të sigurohet ngadalë. Brukseli ratifikimin e kësaj marrëveshjeje e ka vendosur kusht për vizat e Kosovës. Duam që të liberalizohen sa më parë vizat dhe këto probleme në Kosovë të zgjidhen sa më parë dhe sa më mirë”, ka thënë Filip Vujanoviq, president i Malit të Zi.

Edhe presidenti shqiptar ka kërkuar nga Kosova që të ecin përpara e marrëveshja për demarkacionin të ratifikohet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme