Video

Përmbyllet “Java kundër korrupsionit” – bëhet thirrje për çrrënjosjen e tij

Me këtë pemë, në mënyrë simbolike u shënua Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit në Kosovë.

Përfaqësuesi i OJQ-ve, Betim Musliu, tha se javën kundër korrupsionit do ta përmbyllin me një aktivitet simbolik, përmes pemës e cila ishte e vendosur në shesh dhe ishte e stolisur me rastet e korrupsionit në Kosovë, raporton KTV.

Me këtë rast, ambasadorët e vendeve të Quintit kanë bërë thirrje për çrrënjosjen e korrupsionit, duke konfirmuar kështu përkrahjen e tyre kundër kësaj dukurie, por duke theksuar se lufta më e madhe u takon vendasve.

Greg Delawie, Ambasador i SHBA-së në Kosovë, ka thënë se këtë javë është marrë një qëndrim i përbashkët për të luftuar korrupsionin.

“Bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ju ndihmuar mirëpo në fund të fundit kjo luftë ju takon juve. Gjatë kësaj jave kemi parë nëpër seanca të ndryshme, shumë deputetë kanë marr pjesë në diskutime rreth legjislacionit që do të shënojnë rrugën kundër korrupsionit”, tha ai.

Shefja e zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, tha se korrupsioni është fenomen i rrezikshëm që ka qëndruar gjatë në Kosovë dhe se të rinjtë janë të frustruar, ngase e ardhmja e tyre është e rrezikuar nga korrupsioni.

Aktivitete në kuadër të përmbylljes së javës kundër korrupsionit ka pasur edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Aty është thënë se korrupsioni shfaqet në ato institucione ku përdoret paraja publike, por që ky dikaster ka marrë hapa konkret për luftimin e kësaj dukurie, sidomos në dy vjetët e fundit.

Në kuadër të Javës kundër korrupsionit, që është mbajtur nga data 3 e këtij muaji, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme.