LDK thotë se ministri Gashi duhet shkarkuar për gjuajtjen me armë në odën e Limajt

07 dhjetor 2017 19:12

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të ftohet në interpelancë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ata do kërkojnë nga Haradinaj shkarkimin e ministrit të Diasporës, Dardan Gashi.

Kjo pasi për LDK-në, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka rënë ndesh me Kodin Penal të Kosovës, pasi ka gjuajtur me armë në odën e Fatmir Limajt, ku po festohej për lirimin e këtij të fundit nga akuzat për korrupsion.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka theksuar se një kërkesë të tillë e kanë dorëzuar në Kuvend.

Më 1 dhjetor, KTV-ja kishte publikuar një video, në të cilën shihej Sami Lushtaku, zëvendëskryeministri Gashi dhe këshilltari i Limajt, Endrit Shala, teksa gjuanin me armë të ndryshme në odën e Limajt, në të cilën po festonin lirimin e tij për rastin MTPT.

Prokuroria e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë marrjen në pyetje të të dyshuarve për gjuajtjen me armë në odën e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj.

Policia ditë më parë ka konfirmuar për KTV-në se janë në fazë intensive të hetimeve dhe sigurimin e provave materiale. Zyra e kryeministrit deri më tani nuk ka folur ende për rastin, duke thënë se kjo u takon organeve të drejtësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme